Muzikë

“Bota Jonë” pjesë e Festivalit të Filmit të Venedikut, Kurti i gëzuar me suksesin e regjisores Bajrami


Sukseset e kinematografisë kosovare po vazhdojnë të bëjnë bujë kudo në botë dhe filmi “Bota Jonë”, është një prej prodhimeve që ka siguruar pjesëmarrjen në edicionin e 80-të, të Festivalit të Filmit të Venedikut.

Lajmit për përzgjedhjen e filmit të regjisores Luana Bajrami, i është gëzuar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – i cili, përmes një postimi në Facebook, i ka dëshiruar asaj dhe kastit të aktorëve, sukses në kompeticionin internacional.

“Me vetëm 22 vjet, regjisorja dhe aktorja Luana Bajrami, e shënon suksesin e radhës. Filmi i saj “Bota Jonë” është përzgjedhur për të garuar në Festivalin e Filmit të Venedikut, i cili gjithashtu shënon edicionin jubilar numër 80. Filmi do të garojë në kategorinë ‘Orizzonti’, bashkë me filma të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik”, ka shkruar Kurti.

“Suksese në garë Luanës, Valbonës, Uratës, Elsës, Albinës, Donit, Aurorës, Ganisë dhe Armendit”, ka shtuar ai.

Filmi “Bota Jonë” është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Aide au Cinéma du Monde – bashkëprodhim i Kosovës me Francën.

Ky prodhim kinematografik, sipas Kurtit, njëherësh është edhe filmi i parë i prodhuar pas nënshkrimit bilateral të marrëveshjes për bashkëprodhim filmik me shtetin e Francës, nënshkruar vitin e kaluar.

Tutje, i pari i Qeverisë, nuk i ka kursyer edhe fjalët më të mira për regjisoren, Bajrami, për të cilën pos tjerash, ka thënë se “ka lënë gjurmë për një kohë të gjatë” në diskografinë botërore.

“Me filmin e saj debutues si regjisore ”Luaneshat e Kodrës’, Luana kishte garuar në Festivalin e Kanës në vitin 2021”, shkroi ai.

“Me përzgjedhjen e filmit të saj të dytë në Festivalin e Venedikut këtë vit, po dëshmohet se me potencialin si kineaste, emri i saj do të përmendet për shumë kohë në industrinë kinematografike botërore. Edhe roli i saj i Sophie në ”Portrait of a Lady on Fire” të Celine Sciamma, është i pashlyeshëm”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore