Lajme

Bota do të përjetojë temperatura rekord në pesë vitet e ardhshme


Bota është pothuajse e sigurt se do të përjetojë temperatura të reja rekord në pesë vitet e ardhshme.

Madje, temperaturat ka të ngjarë të rriten me më shumë se 1.5 °C mbi nivelet para-industriale.

Ky është paralajmërimi më i fundit i shkencëtarëve nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), raporton “The Guardian”.

Shkelja e pragut vendimtar 1.5 °C, për të cilin shkencëtarët kanë paralajmëruar se mund të ketë pasoja të tmerrshme, duhet të jetë vetëm e përkohshme, sipas hulumtimit të WMO-së.

Megjithatë, do të përfaqësonte një përshpejtim të dukshëm të ndikimeve njerëzore në sistemin global të klimës dhe do ta dërgonte botën në “territor të paeksploruar”, paralajmëroi agjencia e OKB-së.

Vendet janë zotuar, sipas marrëveshjes klimatike të Parisit të vitit 2015, të përpiqen të mbajnë temperaturat globale në jo më të larta se 1.5 °C mbi nivelet para-industriale.

Kjo, pas këshillave shkencore se ngrohja përtej këtij niveli do të lëshonte një kaskadë ndikimesh gjithnjë e më katastrofike dhe potencialisht të pakthyeshme.

Temperaturat mesatare globale të sipërfaqes nuk e kanë kaluar kurrë më parë pragun 1.5 °C.

Mesatarja më e lartë në vitet e mëparshme ishte 1.28 °C mbi nivelet para-industriale.

Raporti, i publikuar të mërkurën, zbuloi se kishte 66 për qind gjasa për të tejkaluar pragun e 1.5 °C në të paktën një vit midis 2023 dhe 2027.

Temperaturat e reja rekord janë vendosur në shumë zona anembanë botës në valët e të nxehtit të vitit të kaluar, por këto nivele të larta mund të jenë vetëm fillimi, sipas raportit.

Kjo, pasi prishja e klimës dhe ndikimi i një sistemi moti në zhvillim El Niño kombinohen për të krijuar valët e të nxehtit në të gjithë globin.

El Niño është pjesë e një sistemi moti luhatës që zhvillohet në Paqësor.

Për tre vitet e fundit, bota ka qenë në fazën kundërshtare, e njohur si La Niña, e cila ka pasur një efekt frenues në rritjen e temperaturës në mbarë botën.

Ndërsa La Niña përfundon dhe zhvillohet një El Niño i ri, ka 98 për qind gjasa që të paktën një nga pesë vitet e ardhshme të jetë më i nxehti i regjistruar, zbuluan shkencëtarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore