Shqipëria

Borxhet e qeverisjes lokale, “udhëheq” Qarku i Tiranës


Në një publikim të muajve të fundit, Open Data Albania ka zbuluar se nga detyrimet e prapambetura të bashkive ndaj qeverisë shqiptare, ato të Qarkut të Tiranës zënë tre vendet e para.

E para që ka detyrimin më të madh të prapambetur është Bashkia e Tiranës me 761.8 milionë lekë.

Në vend të dytë, renditet Bashkia e Kavajës me 727.8 milionë lekë. Por kjo e fundit, ka raportin më të keq midis shpenzimeve buxhetore dhe detyrimeve nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

Stafetën e tre vendeve të para e plotëson Bashkia e Vorës me 702.6 milionë lekë. Kujtojmë që kjo bashki pati një sërë rokadash gjatë vitit 2020, me tre të tilla. Ish-kryetari i saj, Agim Kajmaku u arrestua dhe më pas u la i lirë.

Për Bashkinë e Tiranës, totali i detyrimeve është lehtësisht i menaxhueshëm kundrejt të ardhurave dhe shpenzimeve të saj vjetore, problematika më e lartë me menaxhimin e financave dhe paaftësinë paguese qëndron tek bashkitë e vogla si Kavaja dhe Vora.

Studimi

Open Data Albania është një projekt që mbledh dhe ruan të dhëna mbi indikatorët ekonomiko-shoqëror në Shqipëri, e cila shpreson të krijojë nismën e parë për Open Data.

Open Data Albania shkruan në analizën e saj se detyrimet e prapambetura nuk përfshihen në vlerësimet e Borxhit Publik që raportohen nga Shteti.

Ajo shton më tej se detyrimet e prapambetura janë detyrime financiare që rrjedhin nga kontratat dhe detyrime të tjera jashtë kontraktore të njohura dhe të pashlyera sipas afateve.

Në dhjetor të vitit 2020 borxhet e qeverisjes lokale okuponin 30% të totalit të Detyrimeve të Prapambetura të Shtetit (qëndror dhe lokal) dhe janë në vlerën 7 miliard lekë.

Open Data Albania shkruan në analizën e saj se njësitë e qeverisjes vendore, pjesën më të madhe të detyrimeve i kanë në kategorinë e Investimeve, përkatësisht 53% e detyrimeve ose 3.77 miliardë lekë.

Pasohet nga kategoria Shpenzime të tjera në masën 17% të detyrimeve ose rreth 1.2 miliardë lekë.

Shpenzimet e prapambetura për Vendimet gjyqësore janë 814 milionë lekë ose 12% e totalit.

10% e detyrimeve, pra rreth 718 milionë lekë janë në shpenzime për Shërbime që njësitë kanë kontraktuar dhe realizuar por që kanë mbetur pa shlyer deri në fund të vitit 2020.

Raporti i KE-së

Më herët, Këshilli Evropian (KE) zbuloi përfundimet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Dialogu nismëtohet përvit nga përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësues të bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Këta të fundit u takuan për dialogun e tyre vjetor të politikës ekonomike.

Përfaqësuesit e KE-së vlerësuan në përfundimet e tyre ekonomike që duhet të analizohen arsyet e borxheve në rritje të qeverisjeve lokale në Shqipëri.

Ata kërkuan nga qeveria shqiptare që të parashikojë në buxhetin e vitit 2022 një ulje graduale të borxhit publik, në mënyrë që rimëkëmbja ekonomike të ngulitet mirë.

Ndërkaq, qeverisë i kërkohet të ri-orientojë përbërjen e shpenzimeve publike drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe inovacionit duke parashikuar një rritje graduale të vazhdueshme të shpenzimeve për arsimin, shëndetësinë, sigurimet shoqërore.

Fondet e prekshme për afrimin e të rinjve kanë ngecur, ndërsa kapacitetet e qeverisjes lokale për të planifikuar, krijuar dhe menaxhuar shërbime të reja mbeten të dobëta.

Edi Rama me kryebashkiakët

Në një takim me kryebashkiakët, fill pas arrestimit të ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau me kryebashkiakët disa problematika që lidhen me qeverisjen vendore.

Ndër problematikat kryesore me tenderat, për periudhën 2020-2021, ishin ato me përzgjedhjen e fituesit, fondit dhe vendosjes së kritereve të veçanta.

Këtë të fundit, Rama e cilësoi “si qepje me porosi të kostumit”.

Sipas tij, nuk do të ketë më gjoba, por do të jetë SPAK-u që do të merret me hetime.

“Me paketën e re ligjore, kryetarët e bashkive janë përgjegjës direkt për mirëmenaxhimin dhe keqmenaxhimin e fondeve publike, të cilat do të kontrollohen nga Agjencia e Prokurorimeve Publike”.

Ai u ndal te problemi kryesor, sipas tij, i të gjithave bashkive që është “prokurorimi publik”.

“Mos luani me një zjarr”, ishte thirrja e Ramës, “pasi do të bëhet gjithnjë e më shumë përvëlues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore