Lajme

Borrell paralajmëron krizë të re në veri: Zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje, por kanë potencial të çojnë drejt përshkallëzimit


Josep Borrell

Situata në pjesën veriore të Kosovës – pjesë e banuar kryesisht me serbë etnikë – pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveqan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – mund të përshkallëzohet sërish, tha të martën Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media.

Borrell, pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se pjesëmarrja e ulët e votuesve në zgjedhjet e 23 prillit treguan se këto zgjedhje nuk do të japin zgjidhje afatgjate, për më tepër, konsideroi se përshkallëzimi i situatës mund të rikthehet, me tensione edhe më të larta.

“Shpreha brengën e madhe sa i përket gjendjes në veri pas zgjedhjeve të fundit me një shkallë të ulët të daljes në zgjedhje. Duke marrë parasysh këtë shkallë, këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate. Ndoshta e kundërta, kanë potencial që të çojnë drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kjo nuk është ajo që duam”, tha Borrell.

“Shpresoj që askush të mos e dojë këtë, megjithatë është rrezik i madh. Kam inkurajuar palët të gjejnë zgjidhje që u mundëson serbëve të kthehen në institucionet që i kanë braktisur. Veprime konkrete nga të dyja palët janë të domosdoshme për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit por fatkeqësisht liderët nuk arritën pajtimi sot dhe kam frikë që do të ballafaqohemi – ndoshta – mund të ballafaqohemi me ndonjë situatë kritike. Bisedimet duhet të vazhdojnë”, përfundoi ai.

Zgjedhjet në veri – megjithatë – janë mbajtur pa asnjë incident, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote atje, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë.  Ato, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe votuan pos 13 serbë. Kryetarë të këtyre komunave tash do jenë shqiptarë dhe ata nuk janë të zgjedhurit e shumicës së popullatës atje.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Rrjedhimisht, qeverisja në nivel lokal, përkundër fitores në zgjedhje – Lista Serbe i bojkotoi ato me urdhër të Beogradit – do të jetë sfiduese, duke shtuar shtresa të tjera në një atmosferë tashmë të njohur. Në veri të Kosovës realisht ka çdo gjë ngapak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore