Lajme

Boris Johnson ndërmerr masa urgjente për të shmangur krizën


Qeveria e Boris Johnson po ndërmerr masa urgjente, për të ndihmuar në zbutjen e mungesave të punës që kanë krijuar radhë të gjata në stacionet e benzinës dhe rafte bosh në supermarkete.

Kryeministri i Britanisë së Madhe ka  ndërmarrë masa të reja të imigracionit, të cilat do lejojnë 300 shoferë të karburantit të mbërrijnë menjëherë dhe të qëndrojnë deri në fund të marsit.

Rreth 4 mijë e 700 shoferë të tjerë të transportit të ushqimit do të arrijnë nga fundi i tetorit dhe do të largohen deri në fund të shkurtit.

Rregullat nënkuptojnë që qeveria është tërhequr ndaj lobimit nga industritë e karburantit dhe ushqimit dhe ka zgjeruar disa skema të përkohshme vizash përtej pragut të Krishtlindjeve dhe në Vitin e Ri.

Lëvizja, e projektuar për të trajtuar ndërprerjet kronike në zinxhirët e furnizimit, është një ndryshim i madh në politikë pasi ministrat këmbëngulën më parë se ata nuk do të lehtësonin rregullat e emigracionit në përgjigje të krizës.

Drejtuesit e transportit të karburantit nga jashtë do të lejohen të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar menjëherë dhe nuk do t’i nënshtrohen barrierave të mëparshme, tha një njoftim i zyrës së kabinetit.

“Transportuesit do të gjejnë drejtues të licencuar për të rekrutuar dhe do të paraqesin aplikime në departamentin për “Biznes, Energji dhe Strategji Industriale” e cila do të miratojë aplikantët me licencën e nevojshme dhe një kontratë për të punuar si drejtues karburanti,” thuhej në deklaratë.

Mungesa e 100 mijë drejtuesve të mjeteve të rënda (HGV) – e përkeqësuar nga pandemia dhe Brexit – ka prekur gjithashtu sektorin e ushqimit dhe industritë e tjera.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore