Auto

BMW-ja prezanton konceptin e ri hibrid XM


Kompania gjermane e makinave, BMW, ka zbuluar një koncept të ri automjeti elektrik hibrid, i pari nga modelet e saj M që pajiset me një motor elektrik.

I quajtur BMW XM, koncepti i ri do të hyjë në prodhim në fabrikën e kompanisë në Spartanburg, Karolina e Jugut, duke filluar nga fundi i vitit 2022, ka zbuluar kompania përmes një njoftimi.

Faqja e teknologjisë, “The Verge”, tregon se koncepti BMW XM ka një motor V8 të kombinuar me një motor elektrik për të siguruar 750 kuaj fuqi.

Ndërkaq, zëdhënësi i kompanisë, Jay Hanson, ka sqaruar për “The Verge” se teksa versioni i prodhimit të XM-së do të ketë një motor V8 të çiftuar me një sistem hibrid, “shifrat e kuaj-fuqive duhet të konsiderohen paraprake në këtë kohë”.

Lidhur me dizajnin e pazakontë të pjesës së përparme, me dy hapje të mëdha, ai prezanton një drejtim të ri për automjetet luksoze të ardhshme të BMW-së.

Në të përfshihet edhe versioni i ndriçuar i grilës së zezë.

Hanson ka zbuluar se brendësia përmban “lëkurë me pamje të vjetër”, me një ekran të lakuar që kombinon panelin dhe ekranin e informacionit argëtues në një dizajn të vetëm.

Në një deklaratë, shefi ekzekutiv i BMW M, Franciscus van Meel, ka thënë se koncepti XM “përfaqëson një ri-konceptim të plotë të segmentit të automjeteve me performancë të lartë”.

Nga ana tjetër, kompania nuk ka dhënë detaje se sa do të kushtojë automjeti.

Paçka se XM-ja nuk është një automjet tërësisht elektrik, BMW-ja po shkon drejt një të ardhmeje të elektrizuar, dallon “The Verge”.

Në fillim të këtij viti, kompania ka pohuar se pret që 50 për qind e automjeteve të saj të reja të jenë plotësisht elektrike deri në vitin 2030.

Ndërkohë, ajo po zhvillon versione tërësisht elektrike të sedanëve të saj Serive 5 dhe Serive 7 dhe SUV-së X1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore