Lajme

Bluzat e bardha, pjesë e protestave në Myanmar


Protestuesit kundër grushtit të shtetit, në Myanmar, në orët e para të mëngjesit të 21 marsit, kanë zhvilluar një tubim në Mandalay. Kjo, për të shmangur konfrontimet me forcat e sigurisë dhe policinë.

Personeli mjekësor, ku u përfshinë mjekë, infermierë, studentë të mjekësisë dhe farmacistë të veshur me bluza të bardha, u bashkuan me protestuesit pro-demokracisë.

Ata mbanin parulla ku shkruhej: “Mbroni udhëheqësen tonë”, “Mbroni të ardhmen tonë”.

Protesta të tjera u zhvilluan në shtetin Kachin, nga veriu i Myanmar-it deri në jug të vendit, ndërsa demonstruesit mbanin në dorë qindra qirinj të ndezur.

Grushti i shtetit në Myanmar

Kujtojmë që ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75-vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë të Ligës Kombëtare për Demokraci u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Drejtuesit e ushtrisë deklaruan se kanë marrë kontrollin e shtetit. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Myanmar. Pushteti i përkohshëm i ka kaluar gjeneralit Min Aung Hlaing.

14 marsi i përgjakshëm

Të dielën e 14 marsit u shënua dita më e përgjakshme e protestave në Myanmar-it, pasi u vranë 39 civilë dhe u dogjën fabrikat e financuara nga kinezët.

Forcat e Sigurisë së gjeneralit Min Aung Hlaing vranë 22 protestues në Hlaingthaya, në perëndim të qendrës së qytetit, ku u sulmuan fabrikat, si dhe 16 të burgosur dhe një polic u vranë.

Ambasada kineze në Yangon ka konfirmuar se fabrikat ishin shenjëstruar dhe se ishte plagosur personeli kinez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore