Lajme

Bllokohet Kanali i Suezit, shkak përplasja e anijes ‘Ever Given’


Një anije kontejnerësh, me destinacion Roterdamin, është përplasur në Kanalin e Suezit, duke bllokuar anijet e tjera që udhëtonin nëpër një nga rrugët ujore më të ngarkuara në botë.

Lajmin e ka bërë të ditur kompania e transportit, GAC, dhe të dhënat e transportit në Refinitiv Eikon.

Anija 200 mijë tonësh u përplas të martën, rreth orës 7:40 të mëngjesit, gjatë itinerarit nga Deti i Kuq për në Mesdhe.

Sipas deklaratës së GAC, përplasja ndodhi pas ndërprerjes në rrjetin e operimit.

Anija Ever Given, e gjatë 400 metra dhe e gjerë 59 metra, mund të mbajë deri në 20 mijë kontejnerë transporti, raporton agjencia mediatike, Al Jazeera.

Imazhet e postuara në mediat sociale tregonin anijen, me një ngarkesë të plotë, që kishte bllokuar të gjithë korsinë e kanalit.

15 anije të tjera, të cilat prisnin të kalonin pas saj, u ankoruan në pritje të pastrimit të Kanalit, shkruhej më tej në njoftim.

Trupa e Marinës së Tajvanit “Evergreen”, e cila e kishte dhënë me qira anijen, tha se klienti e kishte informuar se anija “dyshohej të ishte goditur nga një erë e fortë e papritur, duke bërë të devijonte nga uji dhe aksidentalisht të përplasej”.

Autoritetet e Kanalit të Suezit nuk kanë dhënë akoma komente.

Kanali i Suezit

Kanali i Suezit ka më shumë se 150 vite që është ndërtuar. Ai është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Rreth 10% e të gjitha udhëtimeve tregtare detare kalojnë përmes saj.

Sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), gjatë vitit 2020, pothuajse 19 mijë anije, ose një mesatare prej 51.5 anije në ditë, me një tonazh neto prej 1.17 miliardë tonë, kaluan nëpër kanal.

Kanali, vitet e fundit, ka qenë një ndihmë për ekonominë në vështirësi të Egjiptit. Ky i fundit fitoi 5.61 miliardë dollarë të ardhura vetëm vitin e kaluar.

Në shkurt, presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, urdhëroi kabinetin e tij për të miratuar një “politikë fleksibël të marketingut” për kanalin, në mënyrë që të përballojë rënien ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.

As autoritetet egjiptiane ende nuk kanë komentuar mbi incidentin e anijes.

Nuk është hera e parë që Kanali i Suezit është bllokuar. Në vitin 2018 ai u mbyll përkohësisht pasi një anije greke kontejnerësh pësoi anomali në motor, duke u përplasur me pesë anije të tjera.

Edhe në vitin 2014, anija me kontejner, Colombo Express, e gjatë 324 metra, gjithashtu humbi kontrollin, duke u përplasur me anijen Maersk Tanjong, me të njëjtën madhësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore