Lajme

Blinken komunikon me Presidentin Radev – ‘sinjal’ për Maqedoninë e Veriut?


Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka publikuar një tweet të premten e 11 qershorit, ku ka njoftuar për “telefonatën” që pati me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Blinken e ka cilësuar Bullgarinë si një aleat dhe një partner në çështjet kryesore strategjike, përfshirë këtu iniciativat e Ballkanit Perëndimor.

“Pres bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për çështjet e mbrojtjes, sigurinë e energjisë dhe sundimin e ligjit”, nënvizoi Blinken.

Ky mesazh mund të jetë një sinjal për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut, meqë më herët, në një postim në median sociale Twitter, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price, mbështeti hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Hapja e këtyre negociatave duhet të vijë “pa vonesë”, shkruhej në postimin e Price.

“Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë, për të treguar angazhimin tonë për aspirantët e rrugës evropiane”, nënvizoi Price.

Ky reagim nga DASH vjen pas samitit të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit nga rajoni ishin Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, presidenti malazez, Milo Dukanovic, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kryeministri boshnjak, Zoran Tageltija dhe Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

I pranishëm ka qenë edhe Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi.

Ky i fundit, gjatë fjalimit të tij, përmendi edhe çeljen e negociatave, duke thënë se muaji qershor është kritik për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore