Shqipëria

BKH mbyll testin e arsyetimit për hetuesit, kalojnë 338 kandidatë


Byroja Kombëtare e Hetimit ka mbyllur përzgjedhjen e kandidatëve me testin logjik, ku nga 363 pjesëmarrës, 338 prej tyre e kanë kaluar testin.

Kandidatët fitues ndërkaq, kalojnë në fazën tjetër, ku do të zhvillojnë testin e aftësive fizike. Ky i fundit, do të zhvillohet në ambientet e repartit special “RENEA”.

Për shkak të numrit të lartë të fituesve, testimi do të zhvillohet i shtrirë në katër ditë, prej datës 1 qershor deri më 4 qershor.

Për këtë fazë, kërkohet të vihet në dispozicion edhe një raport mjekësor.

Kjo është faza e dytë e aplikimeve për rolin e hetuesit pranë BKH-së. Gjatë fazës së parë, 28 aplikantë u shpallën fitues. Këta ishin edhe hetuesit e parë të byrosë së re të sapoformuar.

Vendet e mbetura vakante pritet të plotësohen nga faza e dytë e përzgjedhjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore