Lajme

Biznesi i mishit të qenit në Indonezi lulëzon paçka shqetësimeve


Për nëpunësin civil Silas Sihombing, arsyet për të ngrënë mish qeni nuk mund të ishin më të thjeshta.

“Sot po ha mish qeni sepse jam i uritur”.

Kështu ka pohuar ai mes kafshatave me mish qeni të pjekur në skarë në restorantin Lau Dimbo Simalem në Medan, Sumatra e Veriut.

Restorantet e mishit të qenve gjenden në të gjithë Medan-in.

Rreth 7 për qind e indonezianëve vlerësohet se hanë mish qeni, sipas Dog Meat Free Indonesia, një grup që bën fushatë kundër tregtisë së mishit të qenit.

Megjithëse 87 për qind e 270 milionë njerëzve të Indonezisë janë myslimanë dhe i shohin produktet e tilla të ndaluara, njësoj si mishi i derrit, rreth 9 për qind e popullsisë janë të krishterë.

Mishi i qenit hahet më shpesh në pjesët kryesisht të krishtera të vendit, si Sumatra e Veriut, Sulawesi i Veriut dhe Nusa Tenggara Lindore, ku vetëm 9 për qind e popullsisë janë myslimanë.

Teksa grupet e të drejtave të kafshëve e kundërshtojnë tregtinë me arsyetimin se promovon mizorinë dhe paraqet rreziqe për shëndetin publik, shumë indonezianë e shohin ngrënien e mishit të qenit si ndryshim nga konsumimi i mishit të pulës ose viçit.

Aktivisti Dicky Senda ka thënë se tregtia e mishit të qenit ka lulëzuar në provincë vitet e fundit, siç dëshmohet nga një rritje e tezgave që shesin qentë e gatuar me përzierje erëzash aromatike.

“Sipas hulumtimit tonë, njerëzit Mollo nuk kanë ngrënë tradicionalisht qen”, ka treguar Senda.

“Qentë janë kafshë të rëndësishme në kulturën Mollo që konsiderohen miq dhe të afërm. Kjo është arsyeja pse gjurmët e putrave të një qeni janë motiv i zakonshëm në pëlhurën e endur të popullit Mollo. Si një komunitet bujqësor dhe gjuetie, qentë konsiderohen si kafshë të dobishme”.

Ai ka shtuar se “tanimë, ngrënia e mishit të qenit është bërë gjithnjë e më popullore”.

Popullariteti i restoranteve që e shërbejnë në Nusa Tenggara Lindore është rritur deri në pikën ku tregtarët e mishit të qenve kanë luftuar me ofertën dhe kërkesën.

Nga ana tjetër, kjo ka nxitur një tendencë të helmimit të qenve në rrugë me ushqime të mbushura me kalium, gjë që i bën kafshët pa ndjenja, por nuk ndikon në mish.

“Kam humbur pesë ose gjashtë qen në vitet e fundit në këtë mënyrë”, ka thënë Senda.

Si rezultat i praktikave të tilla, të cilat janë raportuar në të gjithë vendin, Indonezia pa mish qensh ka lobuar për vite me radhë te qeveria për të ndaluar mishin e qenit.

Po ashtu një numër i qeverive lokale e kanë bërë të paligjshme shitjen e mishit të qenit.

Vitin e kaluar, një tregtar i mishit të qenit në Java-n Qendrore u bë personi i parë që u ndoq penalisht për rolin e tij në tregti.

Tregtari u dënua me 10 muaj burg dhe një gjobë prej 10 mijë dollarë pasi më shumë se 70 qen u gjetën të paketuar në një kamion për transport në restorantet e mishit të qenit.

“Nuk mund të vrasësh tigrat apo elefantët sepse ata janë të rrezikuar dhe rritja e më shumë prej tyre është e vështirë, por ka shumë qen. Kur lindin, zakonisht kanë shumë këlyshë”, ka thënë Sihombing.

Prandaj dhe ai nuk e kupton se pse nuk lejohet vrasja dhe ngrënia e mishit të qenit.

Maria Tarigan, pronarja e Lau Dimbo Simalem, ka tregua se teksa jo të gjithë njerëzit Batak hanë qen, shumë e favorizojnë mishin për qëllimet e tij të supozuara medicinale.

Sidomos gjatë kulmit të pandemisë, restoranti bëri një tregti të zhurmshme me supë qensh, sipas Tarigan, teksa klientët u dyndën atje dhe porositën çanta me të për të afërmit e sëmurë që shëroheshin në spital.

Por të qenit pronar i një restoranti të mishit të qenit shoqërohet gjithashtu me sfidat e veta.

Për Tarigan, kërkesa e saj për t’u regjistruar si biznes me GoFood, një aplikacion popullor indonezian i shpërndarjes së ushqimit në internet, u refuzua.

Sipas saj, kjo ndodhi sepse restoranti i saj shërben vetëm pjata me mish qensh dhe asgjë tjetër.

Tarigan ka treguar se restoranti i saj zakonisht vret tre ose katër qen në ditë për të përmbushur kërkesat, duke therur 21 qen çdo javë.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore