Lajme

Bislimi thirrje BE-së që “sa më parë” t’i largojë “masat e padrejta” ndaj Kosovës


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në një takim me Emisarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) që “sa më parë” t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, njoftoi Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media.

“Palët diskutuan mbi situatën në vend dhe rajon dhe zhvillimet e fundit politike. Një prej temave të adresuara ishte edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ato vijojnë të jenë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit mbi takimin e së mërkurës në Prishtinë.

Manuel Sarrazin

Në komunikatë potencohet se Qeveria e Kosovës e çmon dhe vlerëson lart partneritetin, bashkëpunimin dhe miqësinë e ngushtë me Gjermaninë, ndërsa shtohet se zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sarrazin për përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm e intensiv.

Në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së janë paraparë tri kushte për largimin e masave ndëshkuese të vendosura në qershor: depërshkallëzimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore dhe angazhimi në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Sanksionet ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit të kaluar për shkak të mosdëgjueshmërisë së autoriteteve kosovare dhe dështimit për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për depërshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore