Kosova

Bislimi sërish kërkesë BE-së për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës: Të padrejta


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe zëvendësdrejtori menaxhues për Evropë nga Shërbimi Evropian i Jashtëm i BE-së, Marko Makovec.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi sërish ka kërkuar largimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian nga zëvendësdrejtori menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

“Përgjatë takimit, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta”, thuhet në komunikatë.

Tutje Bislimi, ka theksuar domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

“Veçanërisht trajtimit të aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ende pa statusin e vendit kandidat, përkundër ecurisë pozitive dhe shënimit të progresit, jo vetëm në zbatimin e reformave, por edhe performancës së lartë në fusha kyçe si, ekonomia, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut e liria e mediave”.

Ndërsa, çështje diskutimi ishin edhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

“Fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë”.

Më 4 korrik, Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

Masat që u paralajmëruan për Kosovën, përveç se nga institucionet u konsideruan si “tejet të padrejta”, për profesorët e çështjeve ndërkombëtare janë edhe “jashtëzakonisht të dëmshme”, pavarësisht nëse do të jenë për një periudhë të shkurtër apo afatgjate.

Nga sanksionet të cilat vijnë ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në Veri, njëra ndër më të rëndat rezulton të jetë “shqyrtimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF)”.

Kornizë kjo e cila përmban investime në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzorë dhe bujqësisë.

Përmes këtij procesi bashkohen përfituesit donatorët dhe huamarrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore