Lajme

Bislimi: Kosova dhe Serbia afër marrëveshjes për energjinë


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherit kryenegociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, në një intervistë për mediumin serb, N1, ka bërë të ditur se marrëveshja për energjinë në kuadër të bisedimeve është pothuajse në përfundim.

Megjithatë sipas tij, marrëveshja për targat është larg finalizimit, kjo për vetë faktin se Serbia në këtë çështje është jo-konstruktive dhe nuk e ndjek ritmin që pala kosovare po synon dhe shpreson të ndjek.

Kur është fjala për energjinë, ai thotë se nga nëntë pika ka mbetur vetëm një hap që duhet ta bëjë pala serbe dhe se sipas tij një gjë e tillë duhet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që palët të thonë se nuk mund të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen menjëherë. Rregullatori i energjisë në Kosovë ka 100 ditë kohë për të zbatuar marrëveshjen”, ka shtuar ai.

Pengimi i Serbisë kur bëhet fjalë për targa

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk ka marrëveshje për çështjen e targave, Bislimi thekson se pala serbe “refuzoi të zgjidhte një nga opsionet në tavolinë”.

“Ne kishim tre opsione dhe secila palë duhet të kishte zgjedhur njërën prej tyre. Në rast se nuk zgjedhim të njëjtat opsione, atëherë negociatorët ose krerët e shteteve duhet t’i bashkojnë këto dy opsione në një, por pala serbe refuzoi dhe zgjodhi pengimin si zgjidhje”, ka shtuar ai.

Asociacioni, problem artificial

Sipas zëvendëskryeministrit, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një problematik artificiale, i cili përdoret nga Serbia si zhurmues.

“Serbia nuk ka zbatuar dy herë më shumë marrëveshje se Kosova. Ata nuk kanë kredibilitet për të kërkuar diçka nga Kosova. Madje Beogradi ka rënë dakord me ish-qeverinë e Kosovës për ta trajtuar këtë çështje si pjesë e një paketë e përgjithshme”, pohon Bislimi.

Për Bislimin nëse Serbia kërkon të drejta shtesë për pakicat serbe në Kosovë, ajo duhet të dëshmojë se po punon për përmirësimin e të drejtave të pakicave dhe po ofron mbështetje minoriteteve në Serbi.

“Dhe kështu ne mund t’i adaptojmë ato”.

I pyetur nëse pala kosovare do të bëjë një propozim alternativ, Bislimi ka thënë se ata janë të interesuar të diskutojnë “mekanizmat më të mirë për të siguruar avancimin dhe mbrojtjen e interesave të pakicave, por vetëm pasi të sigurohemi që askush në rajon të mos kontestojë integritetin territorial dhe sovranitetin”.

Se marrëveshja për energjinë është afër finalizimit e kishte njoftuar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një ditë më parë, gjatë një bashkëbisedimi në margjinat e Forumit GLOBSEC 2022, në Bratislavë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore