Kosova

Bislimi i habitur e i brengosur, Petkoviç s’deklarohet fare, Lajçak njofton për vazhdimin e diskutimeve – krejt çfarë ndodhi në Bruksel


Ilustrim: Besnik Bislimi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak

Dialogu në nivel kryenegociatorësh, pas më shumë se shtatë orë takime të ndara mes të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, por me disa përmirësime.

Lajçak, të mërkurën në Bruksel, zhvilloi takime ndarazi i fillimisht më kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in e më pastaj me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimin.

Takim trelateral nuk pati, meqë siç shpjegoi Bislimi në një prononcim për media, për mos-zhvillimin e një formati të tillë insistoi lehtësuesi i procesit.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçak-ut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, potencoi ai.

Bislimi, ishte i vetmi i cili u deklarua për media. Ai u largua nga Brukseli i habitur e i brengosur për disa pika, por shprehu edhe optimizmin se pati përmirësime në disa fusha.

Kryenegociatori i palës kosovare tha se me Lajçak diskutoi për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë dhe për marrëveshjen për energjinë.

Zëvendëskryeministri i brengosur u shpreh për temën sekunecimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, meqë sipas tij draftet e deritanishme që ndërmjetësuesi Lajçak u ka dërguar palëve për planin e sekuencimit janë selektiv dhe u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garantojnë zbatim të plotë të Marrëveshjes.

“Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit, nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”, ka thënë ai.

I habitur u shpreh për çështjen e masave ndëshkuese të vendosura Kosovës nga BE-ja, pasi sipas tij, Kosova i ka plotësuar kërkesat e Unionit për shtensionimin e situatës në Veri, ndërsa kjo e fundit nuk po bënë asnjë hapë për të larguar masat.

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte e mjaftueshëm për BE-në, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

Bislimi pranoi se Kosova ende nuk ka zbatuar të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, por të paktën ka treguar gatishmëri për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj mbi këtë premisë ai kërkoi angazhim më të madh nga ana e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në këtë drejtim.

“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet ‘Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin  e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së’ të datës 3 qershor. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”, potencoi ai.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për tërheqjen e masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”.

Bislimi dha detaje edhe për temën e dytë të diskutuar me Lajçak, duke bërë të ditur se Kosova ka pasur disa komente të cilat janë mbështetur në përgjithësi nga diplomati sllovak për sa i përket termave të referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur.

“Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilën ata duhet të merren dhe mendoj që kjo dokument është shumë, shumë, afër adoptimit final që do të hapte rrugë edhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët”.

Duke folur për Marrëveshjen e Energjisë e dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbia, Bislimi shprehu optimizmin se Kosova është shumë afër nënshkrimit të kontratës në mes të KEDS-it dhe Elektroseverit.

“Si duket në takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel, ka pasur një keqinterpretim nga ana e Brukselit për atë se si do të duhej të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe ne mendojmë që jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit”, shtoi.

Ndryshe nga Bislimi, për takimet në fjalë, nuk u deklarua fare kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç.

Megjithatë për një gjë të tillë u përkujdes, shefi i tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili të mërkurën qëndroi në Bruksel, ku përveç diplomatit sllovak, takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vuçiç, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, bëri të ditur se me diplomatin sllovak diskutoi për takimin që ky i fundit pati, të mërkurën me kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia, duke deklaruar se Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut.

“Me Miroslav Lajçak fola për raundin e fundit të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mënyrat për të qetësuar tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, shkroi Vuçiç.

Krejt në fund u deklarua edhe Lajçak, por fare shkurt.

Në një postim në rrjetin e tij social në Twitter, Lajçak, shkroi se me Bislimin dhe Petkoviç-in ka diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit deri te de-përshkallëzimi i situatës në Veri të Kosovës.

“Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, tha ai.

Tensionet e fundit në Veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Situata në Veri të Kosovës është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Tensionet kulmuan në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore