Lajme

Bislimi e cilëson “anti-statutar” vendimin e delegatëve të LDK-së: Jo kuvendeve që konfirmojnë, por nuk zgjedhin


Faton Bislimi

Në kundërshtim me Statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka cilësuar vendimin e delegatëve të Kuvendit të 10-të Zgjedhor të LDK-së, Faton Bislimi, i cili, përkundër se ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së, nuk është lejuar t’i hyjë garës për kreun e partisë të dielën.

“Vendimi i sotëm është anti-statutar, por kjo nuk do të thotë se e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e LDK-së, qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha, për t’i ofruar Kosovës një alternativë që e çon drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Bislimi para gazetarëve në Prishtinë.

“Nuk ka rugovizëm më të madh se urtësia e përbashkimit, nuk ka rugovizëm më të madh sesa ofrimi i mundësive dhe inkluziviteti. Jo anashkalimi, përjashtimi dhe në asnjë mënyrë, jo kuvende që konfirmojnë, por nuk zgjedhin. Zgjedhja konfirmon ballafaqimin. Festa e LDK-së do të ishte madhështore nëse do të debatonim unë dhe Abdixhiku”.

Në krye të LDK-së për katër vitet e ardhshme do të jetë sërish, Lumir Abdixhiku, i cili të dielën është rizgjedhur kryetar i subjektit më të vjetër politik në vend. Në votim kanë marrë pjesë 333 delegatë, nga gjithsej 335 sa i ka në total LDK-ja. E Bislimi ka vendosur në pikëpyetje procesin e zgjedhjes së kryetarit, duke thënë së është përjashtuar nga gara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore