Lajme

Bislimi dhe Haxhiu me Komisionin e Venecias diskutojnë për vettingun


Komisioni i Venecias.

Të enjten e 19 majit, delegacioni i Komisionit të Venecias i përbërë nga raportuesja Grainne McMorrow dhe përfaqësuesi i sekretariatit të KV-së, Schnutz Durr, janë pritur në takim nga Qeveria e Kosovës.

Këtë takim e kanë zhvilluar me qëllim që të diskutohet draft-Amendamentet Kushtetuese për çështjen e Vetingut dhe draft-opinioni i Komisionit të Venecias mbi këto amendamente si dhe koncept-dokumentin e Vetingut si tërësi, ka bërë të ditur ministria e Drejtësisë.

“Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe grupi i hartuesve të dokumenteve, njoftuan raportuesen Mc Morrow me punën e deri tanishme të grupit punues në hartimin e Amendamenteve Kushtetuese sipas modaliteteve dhe rekomandimeve të përshkruara në draftin e Opinionit të Komisionit të Venecias”.

Në njoftim thuhet se raportuesja është njoftuar edhe për procesin e hartimit të ligjit.

“Gjithashtu raportuesja u njoftua edhe me procesin e hartimit të Ligjit për Vlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku Haxhiu premtoi se, sapo të jetë gati dhe i përkthyer, drafti i ligjit do të dërgohet para Komisionit për vlerësim”.

Haxhiu gjatë këtij takimi ka përmendur edhe nevojën për Vetting si një kërkesë shoqërore për Kosovën, ekzistimin e korrupsionit të përhapur në gjithë sistemin (të konstatuar edhe në draft opinion), ndryshimet ligjore të vazhdueshme por pa rezultate konkrete dhe mosfunksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për gjyqtar dhe prokurorë.

Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Ilustrim.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore