Kosova

Bislimi dhe Gjukanoviç diskutojnë për të ardhmen e dy shteteve në BE


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, të enjten e 18 majit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Bislimi ka thënë se të dy kanë diskutuar për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“E ardhmja e dy shteteve tona është në BE. Përkushtimi ndaj Procesit të Berlinit dhe përmbushjes së agjendës evropiane, janë objektiva tona të përbashkëta. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe angazhimin pozitiv ndaj fqinjësisë së mirë”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa, është shprehur se është diskutuar edhe mbi bashkëpunimin e dy qeverive dhe për të lëvizur drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike në të mirë të qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

“Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit”.

Ndryshe, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun e tij kosovar, Vjosa Osmani, ka treguar qëndrimin e Malit të Zi karshi iniciativës të Ballkanit të Hapur, i cili në një farë mënyrë nuk përkon me qëndrimin e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviç, lidhur me këtë temë.

Në pjesën tjetër të konferencës për media, Gjukanoviç e Osmani kanë folur kryesisht për raportet e shkëlqyera që Mali i Zi e Kosova kanë si dy shtete fqinje. Përtej se miqësi, u tha se janë edhe “të bazuara në objektivat strategjike në mes të dy vendeve tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore