Lajme

Gjukanoviç për Ballkanin e Hapur: U krijua në një kohë depresive, jemi për Procesin e Berlinit


Milo Gjukanoviç në një konferencë për media së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun e tij kosovar, Vjosa Osmani, ka treguar qëndrimin e Malit të Zi karshi iniciativës të Ballkanit të Hapur, i cili në një farë mënyrë nuk përkon me qëndrimin e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviç, lidhur me këtë temë.

Sipas Gjykanoviç, iniciativa e Ballkanit të Hapur është si rrjedhojë e një momentumi depresivë që kishte kapluar vendet e rajonit, në raport me integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, pasi sipas tij, shtetet që janë pjesë e kësaj iniciative kishin humbur shpresat e tyre për integrim në Union.

Marrë për bazë këtë, Gjukanoviç, ka shprehur në mënyrë të tërthortë kundërshtinë e tij ndaj kësaj iniciative duke potencuar faktin se Procesi i Berlinit, i cili po ashtu ka synim bashkëpunimin rajonal, është i duhuri pasi është komplementare në rrugën e rajonit drejtë BE-së.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal para se gjithash bashkëpunimit ekonomik. Kemi një iniciativë shumë të mirë që është procesi i Berlinit, mendoj se të gjitha vendet e rajonit në mënyrë shumë aktive marrin pjesë në këtë iniciativë”, ka thënë Gjukanoviç.

“Më mirë është që të punojnë dhe të përdorim potencialin e iniciativave ekzistuese siç është Procesi i Berlinit apo iniciativa e Tregut të Përbashkët, sesa të krijojmë iniciativa të re, prandaj ne kemi vendosur që të mos ngutemi me iniciativën e Ballkanit të Hapur, por të vazhdojmë bashkëpunimin brenda Procesit të Berlinit”, ka shtuar ai.

Vjosa Osmani në një konferencë për media së bashku me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

Se Procesi i Berlinit është iniciativa e duhur për të ofruar bashkëpunimin rajonal në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor e thotë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas saj Ballkani i Hapur ka dëshmuar sidomos muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit për një ndikim më të madh të Rusisë.

“Dua ta përmendi takimin e fundit të G7, ku është potencuar që bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor përkrahët në kuadër të Procesit të Berlinit, proces në të cilën Kosova vazhdimisht ka kontribuar dhe ka treguar rol konstruktiv, ky është një proces që në të vërtet ka për qëllim që të ofrojë shtetet tona drejtë Bashkimit Evropian”, ka thënë Osmani.

Ndryshe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gjatë një interviste për Deutsche Welle, kishte thënë se iniciativa e Ballkanit të Hapur është në përputhshmëri me Procesin e Berlinit.

“Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është në rregull. “Ballkani i Hapur” është në përputhmëni me Procesin e Berlinit. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo gjë”, tha Abazoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore