Lajme

Bislimi akuzon amerikanët për ndërhyrje: Gabim që shkuan te institucionet e pavarura (në BQK)


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka vlerësuar se komunitetit ndërkombëtar veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë disa gabime me qasjen e tyre në raport me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Sipas Bislimit është gabim që komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që BQK-ja të koordinohet me ta në rastin me dinarin, meqë koordinimi me automatizëm nënkupton ndikim në punën e një institucioni të pavarur.

“Unë mendoj se është gabim të takohen me institucionet e pavarura për të diskutuar tema të caktuara dhe për të dhënë mendimin e tyre”, ka pohuar fillimisht ai në një intervistë për KTV.

Një qoftë se një përfaqësues i një institucioni ndërkombëtar, sipas Bislimit, takohet me anëtarët e BQK-së dhe thotë “ne ju rekomandojmë ta shtyni zbatimin e këtij vendimi”, kjo për Bislimin nënkupton që “ne ju tregojmë si duhet të duket vendimi rrjedhimisht ne konstatojmë se nuk jeni dhe nuk duhet të jeni të pavarur në marrjen e vendimeve”.

“Kjo është gabim”, ka ritheksuar ai.

I pyetur për kritikat e komunitetit ndërkombëtar veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me rregulloren e BQK-së, Bislimi ka potencuar se reagimi ka filluar në mënyrë spontane dhe se “nuk ka filluar me aprovimin e rregullores”.

“Rregullorja ka hyrë fuqi më 27 dhjetor dhe nuk ka pasur asnjë reagim, as të serbëve lokal as të bashkësisë ndërkombëtare. Reagimet kanë filluar artificialisht në momentin që Petkoviç ka dërguar një letër Brukselit, pastaj të gjithë kanë filluar të shokohen me atë se çka parasheh”.

Sipas tij është pak “absurde dhe paradoksale” që të thuhet që Kosova në mënyrë të njëanshme zbaton ligjin, duke iu referuar rregullores së BQK-së.

“Secili shtet brenda territorit të vet ligjin e zbaton në mënyrë unilaterale. BQK është institucion i pavarur dhe ai konsultohet me Kushtetutën e Kosovës dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Nuk konsultohet as me Qeverinë e Kosovës”.

I pyetur për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, Bislimi ka thënë se një prokuror në Kosovë po e mban prapa çështjen e sulmit.

Sipas Bislimit, Prokuroria në Kosovë po hesht në rastin e Banjës dhe s’po kërkon ekstradimin e kryeterroristit, Milan Radojiçiç.

“Si mund të kërkoj unë angazhim më të madh nga Brukseli kur ky angazhim mungon në Prishtinë. Prokuroria në Kosovë hesht dhe nuk thotë ‘na e ekstradoni Radojiçiç-in sepse koha po shkon’ dhe sa më shumë që rri ai në Kopaonik, ka rrezik për sulm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore