Lajme

Bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit, pa rezultat


Bisedimet indirekte midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për të ringjallur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 kanë përfunduar në Katar pa rezultat.

Kështu njoftoi të mërkurën agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve iraniane, “Tasnim”.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit dhe negociatori kryesor, Ali Bagheri Kani, udhëhoqi një delegacion në kryeqytetin e Katarit, Doha të martën përpara bisedimeve indirekte midis Teheranit dhe SHBA-ve që synonin ringjalljen e një marrëveshjeje historike bërthamore.

Marrëveshja bërthamore e 2015-ës ka qenë e varur në fije që nga viti 2018, kur ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga ajo dhe filloi të rivendoste sanksione të ashpra ekonomike ndaj sektorëve kyç të ekonomisë së Iranit.

Irani dhe fuqitë botërore ranë dakord në vitin 2015 për marrëveshjen bërthamore, e cila pa Teheranin të kufizonte në mënyrë drastike pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-ve Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga marrëveshja – tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme u rritën, duke shkaktuar një sërë sulmesh dhe incidentesh.

Bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes kanë qenë në një “pauzë” që nga marsi.

Që nga rënia e marrëveshjes, Irani ka përdorur centrifuga të avancuara dhe stoqe në rritje të shpejtë të uraniumit të pasuruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore