Lajme

“Bild” shkruan për krizën Kosovë-Serbi: A planifikon Putini të nis një luftë në rajon?


Ilustrim

Një analizë e gazetës gjermane “Bild” për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë dhe ndikimit të faktorëve të jashtëm destabilizues në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, duke parë përpjekjet e presidentit rus, Vladimir Putin, sugjeron që t’i kushtohet vëmendje zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor para se të jetë vonë.

Duke marrë për bazë zhvillimet e fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është ende e brishtë – protestat e dhunshme të serbëve lokalë në pjesën veriore të Kosovës në maj të vitit të kaluar, ku mbetët të lënduar disa ushtarë të NATO-s pasuar nga sumi terrorist i paramilitarëve serbë në fund të shtatorit – gazeta gjermane pyet: A planifikon Putini luftë tjetër në Kosovë?

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, por edhe përqëndrimit tradicional të ndikimit midis Perëndimit dhe Lindjes.

“Në përgjithësi, situata në Ballkanin Perëndimor është shumë e brishtë. Pa më shumë prani perëndimore dhe rrjedhimisht gjermane në veri të Kosovës, nuk do të ketë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi për “Bild” Jakov Devçiç, kreu i zyrës së jashtme të Serbisë/Malit të Zi nga Fondacioni “Konrad Adenauer” në Gjermani, derisa përmendi rrymën pro-ruse në Serbi.

Zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, ndikoi në mënyrë substanciale në ecurinë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), duke e gjetur vetën nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore