Muzikë

Biggie pyeste: Këtu i hedhin trupat e vdekur? – Fotografia më e mirë e Eric Johnson-it


Fotografi Eric Johnson, në një intervistë të dhënë për “The Guardian”, shpjegon për fotografinë ikonike të “çiftit të artë” të hip-hop-it, Biggie dhe Faith Evans.

“Unë jam nga Newark, New Jersey, por që në moshën 13 ose 14-vjeçare shkoja në New York, ku rrija në dyqane librash dhe disqesh, duke parë foto në libra dhe në kopertina albumesh. Isha i fiksuar pas stilit të papërpunuar të fotografive të Blondie ose skenës punk në Britani, dhe më tërhiqte kultura e rrugës në përgjithësi”, nis rrëfimin Johnson, përcjell Albanian Post.

Më tej, ai zbulon se aty afër “ishte një shkollë ku fëmijët e zhurmshëm dhe mistrecë rrinin jashtë, të veshur me rroba të bukura, duke u grindur. Doja të shkoja në një shkollë të tillë, por tezet e mia që jetonin në atë lagje thoshin: ‘Absolutisht jo. Kjo është një shkollë e tmerrshme’”.

Pasionin për fotografinë do ta shfaqte që në fëmijëri.

“Unë isha një fëmijë artistik dhe fillova t’i fotografoja shokët në shkollën time të mesme. Rreth vitit 1987 bëra hapat e parë në botën e hip-hop-it dhe fillova të xhiroja të rinjtë që takoja nëpër klube”.

Rap artisti Biggie

Ai ka treguar, se edhe pse ishte një fëmijë, vazhdimisht kontaktonte revistat, të cilave u paraqiste punën e tij. Apo, kur shikonte në pjesën e pasme të kapakëve të disqeve, telefononte kompanitë diskografike dhe “pyesja nëse mund të takoja dikë në departamentin e artit”.

Pra, kur hip-hop-i filloi të shpërthente, ai u gjend në atëbotë.

“Në fillim të viteve ’90 isha i njohur në komunitetin e hip-hop-it dhe punoja me revista të tilla si Vibe, të cilat shënjestronin po atë audiencë. Biggie, AKA the Notorious BIG, ishte në radio – ai ishte aq i pëlqyer sa dukej sikur në çdo pesë këngë, njëra ishte e tija. Unë isha një fotograf i kërkuar, kështu që kur Vibe më kërkoi të fotografoja atë dhe Faith Evans, ishte një kombinim i përsosur”.

Johnson, thotë për “The Guardian”, përcjell Albanian Post, se “ata nuk kishin kohë që ishin martuar dhe ishin “’çifti i artë’ i hip-hop-it. E kisha takuar Faith një herë më parë, kur e fotografova për revistën Interview. Ajo ishte nga Newark, si unë”.

Më tej, ai rrëfen sesi e thirrën nga “Vibe”, dhe i kërkuan që të bënte diçka ikonike.

“Më treguan një libër me kopertinat më të mira të albumeve të të gjitha kohërave, për të demonstruar pamjen klasike që dëshironin. Shumica e fotove të kopertinës ishin bërë brenda ambienteve, kështu që mendova se do të ishte mirë t’i nxirrja jashtë”.

Duke qenë se Biggie përfaqësonte Brooklyn-in, i shkoi në mendje se “do të ishte mirë ta fotografoja nën Urën e Bruklinit me horizontin e New York-ut pas”.

Kështu ai mori një Cadillac, nga një vend që jepte makina me qira makina për filma.

“Kam përshtypjen se makina ka qenë në filmin ‘A Bronx Tale’”.

Kur çifti mbërriti për herë të parë, ata donin disa rroba të tjera, kështu që Puffy (Sean “Puff” Coombs AKA Puff Daddy, shefi i shtëpisë diskografike Bad Boy) i dërgoi të bënin pazar.

“Vendos një djalë të madh si Biggie në një kostum dhe ai do të duket si burrë. Në fakt, ai paraqiste një figurë të ashpër, edhe pse ishte vetëm 23 vjeç kur e fotografova dhe në të vërtetë shumë djaloshar dhe i dashur”.

Aty, teksa po shikonte nën urë, Johnson kujton se e pyeti: “Këtu i hedhin kufomat?”

Kështu ai do të fiksonte foton në film 120 Ektachrome, duke përdorur një përzierje të dritës natyrale dhe blicit, për të mos pasur hije.

Për foton, ata të dy i dhanë atë “pamjen që prisja”.

“Të ulur në sediljen e pasme të asaj makine, shumë të lidhur me njëri-tjetrin, por kur ajo ishte në makinë dhe ai ishte jashtë saj, ata ishin më lozonjarë.

Faith Evans kishte filluar të shkëlqente gjithashtu dhe ata ishin të dashuruar. Ishte një kohë vërtet e mirë për ta.

“Më vonë”, rrëfen Johnson, “bëra disa foto vetëm të Biggie-t në makinë gjatë natës, për të cilat njerëzit tani më thonë se duken vërtet të frikshme. Kishte një pozë nga seanca e Biggie duke buzëqeshur, të cilën shtëpia diskografike e përdori më vonë si kopertinë për një single”.

Vibe dhe të gjithë i pëlqyen fotot e Biggie dhe Faith, por grindjet në hip-hop mes bregut lindor dhe bregut perëndimor po ndodhnin dhe “dikush më tha se djemtë e bregut perëndimor ishin të inatosur me mua, sepse mendonin se fotografia po shkatërronte kulturën e makinave të bregut perëndimor”.

Disa vjet më vonë, revista The Face do ta dërgonte sërish Johnson-in, këtë herë në Los Angeles,  për të fotografuar sërish Biggie-n, por aty i thanë nuk mund ta dërgonin atë në një vend publik, sepse ai “po kërcënohej me vdekje”.

“Po atë ditë, atë e vranë”, përmbyll rrëfimin fotografi.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore