Aplikacione

Ndërprerja në Facebook, Whatsapp, Instagram dhe Messenger – 160 milionë dollarë dëm ekonomik


Facebook, WhatsApp, Instagram dhe Messenger, të katërta këto shërbime në pronësi të Facebook-ut, ende vazhdojnë të jenë të ndërprera që prej pasdites së 4 tetorit.

NetBlocks, faqja e cila gjurmon ndërprerjet e internetit dhe ndikimin e tyre, vlerëson se ndërprerja tashmë i ka kushtuar ekonomisë globale 160 milionë dollarë dhe ka ulur çmimin e aksioneve të Facebook-ut me më shumë se pesë për qind.

Eksperti i sigurisë kibernetike Kevin Beaumont, ka shkruar në platformën Twitter se “ky duket si një gabim epik gjatë konfigurimit, çka nënkupton se praktikisht Facebook-u nuk ekziston në internet për momentin”.

Ndërkohë, Downdetector, faqja që gjurmon ndërprerjet, raporton se edhe përdoruesit në Gmail kanë hasur probleme.

Në një njoftim zyrtar në median sociale Twitter, Facebook ka sqaruar se “jemi të vetëdijshëm se disa përdorues kanë hasur probleme me qasjen në aplikacionin Facebook”.

Gjithashtu, shkruhet në postim se “ne po punojmë që gjërat t’i rikthehen normalitetit sa më shpejt të jetë e mundur dhe kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim”.

Ky problem u shfaq edhe mes përdoruesve shqiptarë, të cilët e kanë të pamundur të ndërveprojnë në këto aplikacione kryesore.

Sipas Reuters, duke ju referuar Downdetector, faqja që gjurmon ndërprerjet, në bazë të raporteve të mbedhura nga një sërë burimesh, ka nxjerrë se ka më shumë se 50 mijë raportime të njerëzve mbi ndërprerjen në Facebook dhe Instagram.

Megjithatë, pritet që ndërprerja mund të prekë një numër më të madh të përdoruesve.

Platforma të tjera të së njëjtës familje aplikacionesh, si Facebook, Workplace, ndaluan gjithashtu së funksionuari.

Vizitorët në faqen e internetit të Facebook u përballën me një faqe që shkruante “gabim” ose një mesazh që shfletuesi i tyre nuk mund të lidhej.

Në faqet e aplikacioneve WhatsApp dhe Instagram ishte jofunksional ndërveprimi.

“BBC” raporton se ekspertët e rrjetit online kanë spekuluar se mund të përfshijë një gabim në DNS, ose ndryshe sistemin e emrit të domain-it, për faqet e Facebook-ut.

Shpesh, DNS krahasohet me një libër adresash për internetin, duke treguar shfletuesit e faqes në sistemin kompjuterik, i cili i shërben faqes së internetit që ata kërkojnë.

Në bazë të disa raportimeve nga përdorues të rrjetit, pas këtij problemi, shumë prej tyre po i drejtohen platformave alternative të komunikimit online si Viber dhe Telegram.

Më herët, një ish-punonjëse e Facebook-ut e ka akuzuar kompaninë se ka vënë fitimin mbi të mirën publike.

37-vjeçarja Frances Haugen ka thënë se në mijëra dokumente që kishte mbledhur dhe ndarë me zbatuesin amerikan të ligjit, kompania kishte dal keq.

Referuar këtyre dokumenteve, kompania po gënjente publikun se po bënte përparim të rëndësishëm kundër gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe dezinformimit.

Më parë gjiganti i teknologjisë Facebook nuk ka dhënë sqarime mbi çështje të ngjashme.

Në vitin 2019, për shembull, ajo pësoi ndërprerjen e saj më të madhe në vite dhe deklaruan se kishte “shkaktuar një problem” gjatë “operacioneve të mirëmbajtjes rutinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore