Aplikacione

Biden-i revokon urdhrin e Trump-it për mediat sociale


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka revokuar një urdhër ekzekutiv të ish presidentit amerikan, Donald Trump, që ka urdhëruar rregullatorët të kufizojnë mbrojtjen e përgjegjësive për kompanitë e mediave sociale.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Qendra për Demokraci dhe Teknologji, e cila kishte kërkuar në muajin maj të vitit 2020 bllokimin e këtij urdhri të Trump-it, e ka vlerësuar përmbysjen e tij nga Biden-i.

Qendra e ka argumentuar urdhrin e Trump-it duke thënë se “ishte një përpjekje për të përdorur kërcënime hakmarrjeje për të shtrënguar kompanitë e mediave sociale të lejonin dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes pa e kontrolluar”.

Në mënyrë të pasuksesshme, ish presidenti i kërkoi Komisionit Federal të Komunikimit të vendoste rregulla të reja për të kufizuar mbrojtjen e firmave të mediave sociale në bazë të Aktit për Kompetencat e Komunikimit të vitit 1996.

Ai mbron kompanitë nga përgjegjësia që mund të kenë për përmbajtjet e postuara nga përdoruesit e tyre dhe i lejon këto kompani të heqin postime të ligjshme, por të kundërshtueshme.

Trump-i e lëshoi urdhrin e tij pas “zemërimit” me platformën Twitter, e cila i etiketoi postimet e ish presidentit lidhur me pretendimet e pabazuara të mashtrimit të votimit përmes postës me një paralajmërim për lexuesit.

Më pas, postimet e Trump-it pas sulmeve të gjashtë janarit në Capitol Hill detyruan kompanitë e mediave sociale përfshirë Twitter-in, të ndalojnë llogaritë e tij.

Të nesërmen, kryetari i komisionit, Ajit Pai, deklaroi se nuk do të vepronte në bazë të kërkesës së Trump-it për të kufizuar mbrojtjen e përgjegjësive të mediave sociale.

E nga ana tjetër, shumë ekspertë kanë bërë me dije se Komisioni Federal i Komunikimit nuk ka pasur asnjë autorizim për të nxjerrë rregullore sipas ligjit të vitit 1996.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore