Bota

Biden heq bustin e Churchill-it nga Shtëpia e Bardhë


Busti i ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, është hequr nga dhoma ovale me ardhjen në detyrë të presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e mbajti për katër vite në zyrë, bustin e Churchill-it.

Një ridizajnim tërësor i zyrës së presidentit është kryer nga stafi i tij. Në vend të bustit të Churchill-it, janë vendosur disa të tjerë. Ai i aktivistit për të drejtat e komunitetit latin në SHBA, Cesar Chavez, është vendosur i pari në dhomën ovale.

Një bust i Martin Luther King Jr., gjithashtu. Pjesë e zyrës, janë tashmë edhe figurat e Robert Kennedy-t, Rosa Parks dhe Eleanor Roosevelt.

Këtë lëvizje të Biden-it e kanë kritikuar disa tabloide britanike. Një pjesë e tyre kanë hedhur hije dyshimi mbi shkaqet e këtij veprimi, duke e quajtur “të padrejtë”.

Reagim ka pasur edhe Ambasada e SHBA-së në Londër. Në profilin e saj, është publikuar një video 30 sekondëshe që përshkruar marrëdhëniet SHBA-Britani.

“Kemi parë diskutime mbi çështjen e bustit të Churchill-it”, shkruhet në postim. “Donim thjeshtë t’ju kujtonim se sa e veçantë është lidhja midis shteteve tona”. Në postimin në Twitter nënvizoheshin gjithashtu çështje thelbësore të bashkëpunimit SHBA-Britani, si siguria apo tregtia.

Një problem i tillë u shkaktua edhe nga administrata Obama, kur ish-presidenti amerikan, hoqi bustin e Churchill-it nga zyra ovale gjatë mandatit të tij. Akuza u hodhën në atë kohë, se kjo ishte “një hakmarrje nga Obama, pasi ai kishte dëgjuar historitë e persekutimit të gjyshërve të tij nga britanikët”.

Pavarësisht këtij veprimi, nuk ka ende një deklaratë për gjestin e Biden-it. Reagim nuk ka pasur as nga Britania mbi heqjen e bustit të një figure emblematike të historisë së saj, nga dhoma ovale./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore