Stil

Beyonce vishet përsëri prej një stilisti nga Kosova


Këngëtarja amerikane e muzikës pop, Beyonce, ka zgjedhur që edhe për një prej paraqitjeve të saj, të kujdeset një stilist shqiptar nga Kosova.

Ylli i hitit “Halo”, është shfaqur e veshur me një nga kreacionet e disenjatorit, Valdrin Sahiti, gjatë një koncerti në kuadër të turneut të saj botëror – “Renaissance”.

E këtij suksesi duket t’i jetë gëzuar Sahiti, i cili nuk ka hezituar që lajmin ta ndajë me miliona ndjekësit e tij në Instagram.

Beyonce me veshjen e stiluar nga Valdrin Sahiti.

“Mbretëresha Beyonce faleminderit që na keni zgjedhur sërish”, ka mbishkruar Sahiti.

“Talenti juaj i pakrahasueshëm vazhdon të na frymëzojë dhe fuqizojë të gjithëve. Nga performancat tuaja magjepsëse deri te mesazhet tuaja të fuqishme, je një fener i vërtetë frymëzimi. Të jemi përgjithmonë mirënjohës”, ka shtuar ai.

Gjithsesi, kjo nuk shënon herën e parë që Beyonce e njohur edhe si ‘Queen B’ zgjedhë të vishet nga Sahiti – ajo ishte shfaqur edhe në disa evenimente të tjera, me veshje të stiluara pikërisht nga kreatori në fjalë.

Ajo ishte shfaqur në “Pre-Grammy Gala-n”, e organizuar nga producenti i famshëm amerikan Clive Davis, me një fustan të kuq ekstra voluminoz të punuar pikërisht nga duart e Valdrinit.

Beyonce me fustan të stiluar nga Valdrin Sahiti.

Përndryshe, ikona e pop-it po vazhdon të zhvillojë turneun e saj të albumit të fundit, derisa të gjitha koncertet që ka mbajtur janë karakterizuar me audienca masive si dhe performanca elektrizuese nga Beyonce.

Para publikimit të “Renaissance”, Beyonce ia kishte albumin familjes së saj dhe i bëri një nderim të veçantë “Xhaxhait Jonny”, i cili vdiq nga komplikimet e shkaktuara nga HIV.

“Ai ishte kumbara ime dhe personi i parë që më ekspozoi ndaj muzikës dhe kulturës që shërbejnë si frymëzim për këtë album”, kishte zbuluar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore