Shqipëria

Beteja për të shpëtuar rrëqebullin – ‘fantazmën ballkanike’ – nga zhdukja


Në Shqipërinë juglindore, në malet me pamje nga një liqen i kaltër, ekspertët po gjurmojnë rrëqebullin e Ballkanit.

Kjo vjen si pjesë e përpjekjeve të fundit për të shpëtuar specien nga zhdukja.

Ndryshe i quajtur “Fantazma e pyllit”, ai jeton në malet e mbuluara me pemë që përshkojnë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Por ekspertët paralajmërojnë se është ndër gjitarët më të rrezikuar në botë. Prej shpyllëzimit dhe gjuetisë pa leje, ka më pak se 40 të tillë të vetmuar në tre vendet e Ballkanit.

Shqipëria është shtëpia e më pak se dhjetë prej tyre, duke rënë ndjeshëm nga më shumë se 200 në vitet 1980.

“Jemi shumë të shqetësuar se nëse nuk arrijmë të rrisim numrin dhe shpërndarjen e tij, shumë shpejt do ta humbasim përgjithmonë”, ka thënë ekspertja Manuela von Arx.

Në Malin e Thatë me pamje nga liqeni i Prespës, dy ekspertë që marrin pjesë në programin e rikuperimit të rrëqebullit të Ballkanit instalojnë me kujdes kamera të automatizuara në lartësinë e rrëqebullit në lisa.

Ata shpresojnë të kapin imazhet e mishngrënësit të ndrojtur dhe të pakapshëm që fle ditën dhe gjuan natën për drerë, dhi të egra dhe lepuj.

Sakaq, kamera duhet të pozicionohet mirë për të mbuluar shtegun e përdorur nga rrëqebulli.

Në nëntor 2021, kamerat në zonë kapën një rrëqebull që vinte nga Maqedonia e Veriut, të cilin ekspertët e përshëndetën si një shenjë të mirë.

“Është e vështirë të marrësh një imazh të mirë”, ka treguar eksperti Ilir Shyti teksa bashkë me kolegun Melitjan Nezaj kontrollonin pozicionet e kamerave.

“Shpresojmë që të kalojë edhe këtë vit dhe nëse kemi fat do të mund të bëjmë një foto të një rrëqebulli tjetër”, ka thënë Nezaj.

Për koordinatorin e projektit, Blendi Hoxha, gjurmimi i përpiktë i rrëqebullit është një pjesë kyçe e mbrojtjes së tij.

“Çdo dëshmi e dokumentuar e pranisë së rrëqebullit është e vëzhguar pasi jep shpresë për mbijetesën e tij”, ka thënë ai.

Rrëqebulli është i kërcënuar nga degradimi i habitatit dhe shpyllëzimi i konsiderueshëm.

Ndonëse është i mbrojtur rreptësisht, rrëqebulli ka qenë viktimë e gjuetisë pa leje, pavarësisht ndalimit të gjuetisë në Shqipëri që nga viti 2014.

Të paktën 14 prej tyre janë vrarë në Shqipëri që nga viti 2006, sipas PPNEA.

Tregtia pa leje e kafshëve dënohet deri në shtatë vjet burg, por sistemi i drejtësisë është krejtësisht i pa interesuar për problemin, sipas avokatit të PPNEA, Gentian Rumano.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkuar forcat në kuadër të programit të rimëkëmbjes së rrëqebullit të Ballkanit.

Ky program është i financuar nga fondacione të huaja si Kora, Euronatur dhe Mava.

Të tre vendet kanë krijuar “zona të reja mbrojtjeje ku rrëqebulli është i pranishëm dhe ku mund të shumohet”.

Po ashtu janë përpjekur të edukojnë gjuetarët dhe popullatën e përgjithshme për kërcënimin e zhdukjes.

Por beteja është larg fitimit.

Zvogëlimi i numrit dhe izolimi i tyre minon diversitetin gjenetik që çon në probleme shëndetësore dhe mbarështuese, ka paralajmëruar Hoxha.

Dhe një mënyrë për të lehtësuar problemin mund të jetë sjellja e meshkujve nga popullatat e tjera të rrëqebullit për t’u shumuar në Ballkan.

Marrë nga “RTL”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore