Lajme

Besimi: Përmbushja e marrëveshjes për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut – përgjigje ndaj paragjykimeve


Ministri i Financave në Maqedoninë Veriore, Fatmir Besimi

“Përmbushja e marrëveshjes politike për emërimin e kryeministrit shqiptar në periudhën parazgjedhore është investim në të ardhmen e përbashkët dhe përgjigje konkrete ndaj të gjitha paragjykimeve që na ndjekin nga e kaluara”.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Fatmir Besimi, në një intervistë për Televizionin 24 në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka theksuar se nuk është vetëm premtim parazgjedhor, por ndërtimi i besimit reciprok, përforcim i themeleve të shtetit të përbashkët dhe marrje e përgjegjësisë dhe mesazh për barazi dhe mundësi të barabarta.

“Kjo është ndjekje e vlerave evropiane, shoqërisë multietnike dhe multikulturore, me mirëkuptim dhe tolerancë reciproke, e cila funksionon në interes të sigurimit të prosperitetit dhe standardit më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët”, shtoi Besimi.

Ndryshe, BDI-ja – subjekti më i madh politik i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut – në zgjedhjet parlamentare të qershorit të 2020, kishte garuar me idenë e kryeministrit shqiptar, derisa Naser Ziberin e kishte caktuar kandidat të saj.

Nga janari edhe Maqedonia e Veriut me një kryeministër shqiptar – i katërti në një shtet të Ballkanit Perëndimor

Duke qenë se shqiptarët në Maqedoni të Veriut nuk janë shumicë, jetësimi i një qëllim të tillë dukej i pamundur, mirëpo pothuajse katër vite më pas, kjo nuk po duket fare e parealizueshme, përkundrazi.

Në marrëveshjen qeverisëse në mes të LSDM-së – partisë më të madhe maqedonase e dalur në ato zgjedhje – dhe BDI-së, parashihej që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori.

Se do të zbatohet kjo marrëveshje e tha edhe vetë bartësi i koalicionit qeverisës, njëherit Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Ai deklaroi se marrëveshja e 2020 me BDI-në është e qartë dhe rrjedhimisht të njëjtës do t’i përmbahet.

“Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit evropian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Kovaçevski më 21 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore