Shqipëria

Berisha: Padia ndaj Blinken-it është dorëzuar, vendimi hakmarrje politike


“Unë ju kam thirrur për t’ju njoftuar se avokati im Jean-Yves le Borgne ka dorëzuar padinë për shpifje në Gjykatën e Parisit”.

Ka qenë kjo deklarata e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, sa i përket padisë ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që në fillim të konferencës së dytë këtë vit për shtyp, zhvilluar mesditën e 5 gushtit.

“Kjo padi”, ka shpjeguar Berisha gjatë deklaratës, “bazohet në precedentë të tjerë të ngjashëm. Për shpifjen nuk ka imunitet dhe nuk përdoret si mburojë”.

Sipas tij, shpifja në internet dënohet kur dhe ku del lajmi.

Më tej, ai i ka bërë thirrje Blinken-it “të dorëzojë pranë Gjykatës çdo fakt”.

Ish-kryeministri i Shqipërisë ka thënë se “kjo është hakmarrje politike për kundërshtimin e ndryshimeve të kufijve të Kosovës dhe se vendimi ka mungesë transparence”.

Ai ka theksuar se “nuk kam ngritur padi ndaj vendimit, por kundër shpifjeve”.

Berisha ka vijuar me akuzat, duke ravijëzuar se e gjitha kjo po ndodh nën mashtrimet e multimiliarderit George Soros, me të cilin ai është përballur që nga viti 1992.

“Më datë 21 maj, një zyrtar i ka thënë se të dhënat kanë qenë të sponsorizuara nga Soros, raportet e medias, të diktuara nga Rama”, akuzoi Berisha.

Sipas tij, “nuk ka njeri në botë që të mund të paraqesë një provë të vetme”.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri u është përgjigjur dhe deklaratave të ambasadores amerikane, Yuri Kim, për qëndrimin e tij jashtë Kuvendit.

Ai e ka cilësuar si “të pabazë” fjalën e ambasadores dhe “skandaloze”.

“Karakterin e këtij vendimi politik e provon kërkesa publike e Yuri Kim për mosfutjen time në Parlament, duke mos pasur asnjë fakt, provë apo dokument, përveç kërcënimeve me dogmën e barit që ka përdorur Enver Hoxha.  Sot e përdorin albanofobë të pandreqshëm”.

I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë i pranishëm në seancat parlamentare të shtatorit, Berisha është përgjigjur se “zëri im do të trefishohet në mbrojtjen e interesit publik të shqiptarëve, nga foltorja e Kuvendit”.

Po ashtu, ka bërë me dije se lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur kërkesës së ambasadores për përjashtimin e tij, me një kërkesë tjetër.

Basha, sipas Berishës, i ka kërkuar Kim-it provat që ka kundër ish-kryeministrit.

“Unë e falënderoj Bashën, sepse kjo është ajo që unë kërkoj, paraqitjen e provave”, tha Berisha, ndërsa i ka sugjeruar Bashës të zbatojë “ligjin dhe vetëm ligjin”.

Më tej, ai ka shprehur mbështetjen për procesin e vetting-ut të politikanëve.

Ndër të tjera, Berisha shprehu kundërshtinë e tij për një qeverisje Rama-Basha.

“Unë, absolutisht jam kundër një qeverisjeje të tillë”, tha ish-presidenti i Shqipërisë.

Gjatë konferencës, ish-kryeministri u pyet “nëse ka informacion për shpalljen non grata të presidentit Ilir Meta”, dhe ai u përgjigj se, “nuk ka asnjë informacion mbi askënd”.

Njoftimi për shpalljen persona non grata të Berishës

Berisha dhe familjarët e tij e kanë të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ai u shpall persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili në një tweet do të përmblidhte vendimin e marrë nga DASH, e cila fillonte si një deklaratë personale, por ishte dukshëm një deklaratë me rëndësi departamenti.

“Sot, unë jam duke shpallur caktimin publik non grata të Sali Berishës, një ish-president i Shqipërisë, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.

Sipas vendimit, më në detaje, Berisha ishte përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Kjo do të përfshinte përdorimin e fuqisë së tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, deklarata vazhdonte me familjarët e afërt, kur cilësonte se “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë”.

Anëtarët e familjes së tij u përmendën, po ashtu, si pjesë e të njëjtave kufizime.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

Me këtë deklaratë, në vetëm disa rreshta, SHBA-të goditën një nga “simbolet” e tranzicionit shqiptar.

SHBA-të dhe Berisha

Berisha ishte udhëheqësi i parë shqiptar pas rënies së komunizmit, që vizitoi Shtëpinë e Bardhë.

Më 15 korrik 1992, presidenti Bush e priti atë me nderime të mëdha.

Më 12 shtator 1995, përsëri në Washington, u takua me presidentin Clinton.

Më 10 korrik 2007, presidenti Bush (Jr) vizitoi Shqipërinë, ku Berisha e deklaroi atë si “mysafirin më të madh dhe më të dallueshëm në historinë shqiptare”.

Në vitin 2009, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) e mirëpriti Shqipërinë si anëtare të saj . Në atë kohë, Berisha deklaroi se pa ndihmën e SHBA-ve, kjo nuk do të kishte ndodhur.

Në janar 2011, kur katër demonstrues të opozitës u vranë në bulevard, ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, e cilësoi  Sali Berishën si një “burrë shteti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore