Shqipëria

Berisha mbërrin në Kuvend: Asgjë nuk i pengon demokratët për t’u bashkuar sot në rithemelimin e PD-së


“Asgjë nuk pengon djem dhe vajza burra dhe gra të lirisë për tu bashkuar sot në rithemelimin PD-së dhe pluralizmit të demokracisë shqiptare”.

Kjo ishte deklarata e ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha sapo u nis në ambientet e stadiumit “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur prej tij.

Berisha këtë ditë e quajti si një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë së një kombi.

“Kjo shënon triumfin e një revolucioni paqësor në momentet më dramatike të vendit”, u shpreh Berisha.

Këtë ngjarje ai e quajti si mesazhin, “më të bukur, më të madh, më të fuqishëm, që i dërgojnë sot shqiptarëve kudo që gjenden, si dhe miqve tanë konservatorë në Evropë”.

Ai e mbylli duke deklaruar se kreu aktual Lulzim Basha është i ftuar të marrë pjesë në këtë ditë “të jashtëzakonshme” të demokratëve.

Në krah të Berishës shihen nga radhët e PD-së Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, ish-presidenti Bujar Nishani dhe mijëra delegatë dhe mbështetës të Berishës.

Deri më tani lideri historik e ka arritur kuorumin e delegatëve për ndryshime statuore brenda selisë blu.

Nga pamjet brenda ambienteve të stadiumit, vihet re se numri i delegatëve, të cilët janë tashmë të pranishëm në stadium, është 4 mijë e 934.

Berisha ka theksuar që në krye të herës se numri real i tyre, do të shkojë në mbi 5 mijë delegatë. Kësisoj lideri historik është shumë pranë shkarkimit të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha.

Flamuj, ujë e biskota – Kështu i pret Berisha mbështetësit e tij në Kuvend

Delegatët dhe mbështetësit e parë të Sali Berishës kanë mbërritur në Kuvendin e thirrur nga anëtarësia e PD-së, që në orët e para të mëngjesit.

Albanian Post ishte brenda ambienteve të stadiumit “Air Albania”, ku edhe zhvillohet Kuvendi i Berishës. Aty shihet një fluks i madh mbështetësish të Berishës të cilët gjenden tashmë në karriget e stadiumit.

Një detaj interesant është pikasur në një prej hyrjeve, ku simpatizantëve u është dhënë një flamur, ujë e biskota. Në fakt, vetë Berisha, ka paralajmëruar mbështetësit e tij të vishen mirë për shkak të motit të keq.

  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore