Shqipëria

Berisha: Kamza është një “manipulim digjital monstruoz”


Të dhëna të besueshme dëshmojnë se Kamza është “manipulim digjital monstruoz”, deklaroi lideri i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha.

Ish-kryeminsitri shtoi në deklaratën e tij për shtyp se “manipulimi digjital” e nxjerr sot Partinë Socialiste 10 mijë vota para koalicionit opozitar.

Sipas tij, ky rezultat është “gatuar” në mënyrë digjitale dhe hidhet poshtë me “vendosmërinë më të madhe”.

“Kamza është shtuar nga Qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për t’u votuar në mënyrë digjitale”, ravijëzoi Berisha. “Kur them për Kamzën, atëherë problemi digjital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë”.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha nuk i njohu rezultatet zgjedhore të 14 majit duke e quajtur procesin “kriminal”.

“Votimet elektronike u vërtetuan katërcipërisht një dështim total pasi pajisja elektronike e identifikimit nuk punoi në asnjë qendër votimi duke kthyer mbrapsht me mijëra votues”, u shpreh fillimisht ai.

Ai kërkoi sekuestrimin e të gjitha pajisjeve dhe serverat e tyre personale në Qendrat e Votimit dhe një hetim të thelluar për aparaturat.

“Ne jemi në procesin e mbrojtjes së votës”, ravijëzoi në përmbyllje duke theksuar se nuk do ta njohë kurrë këtë rezultat.

Kujtojmë që fronti opozitar me dy kandidatët e tjerë, ndau përkatësisht votat e numëruara elektronikisht në 35.11% për Arjan Hoxhën e Bashkë Fitojmë dhe 4.24% për Bilbil Bajraktarin e Partisë Demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore