Shqipëria

Begaj takim me delegacionin e Asamblesë së NATO-s: Shqipëria do të vijojë të luajë rolin si faktor paqeje


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, anëtarë të Komitetit për Demokraci dhe Siguri.

Parlamentarët vlerësuan rolin që Shqipëria luan në NATO, si edhe kontributin e saj në mbrojtje të parimeve dhe vlerave të Aleancës.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin se Shqipëria është tërësisht e përkushtuar për të vijuar me angazhimet e saj në NATO dhe për të forcuar mbrojtjen kolektive.

Takimi u zhvillua më pas në formën e një bashkëbisedimi, gjatë të cilit Presidenti i Republikës shprehu qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me situatën në rajon, mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, si edhe nevojën e gjetjes së zgjidhjeve nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv.

“Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj si faktor paqeje, stabiliteti dhe eksportuese e sigurisë”, garantoi Kreu i Shtetit.

Të premten, Begaj është takuar këtë të premte me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Inteligjencën dhe Sigurinë, Scott Bray.

Kreu i shtetit bëri me dije se “garantoi bashkëpunim të mëtejshëm me strukturat e inteligjencës së NATO-s”.

“Le të forcojmë lidhjet tona për një të ardhme të sigurt”.Kujtojmë se në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Begaj theksoi se kjo ngjarje historike ka kthyer Shqipërinë në përkatësinë e vet perëndimore.

Përmes një mesazhi publik, Begaj shkruan se data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës.

“Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin”, shkruan ai.

Më tej, kreu i shtetit përmend se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohjen ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve strategjikë, të cilët e mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Në 15 vite pjesë të aleancës, Shqipëria ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike sipas presidentit.

Ai nuk ngurroi edhe të shprehte krenarinë për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.

“Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, e përmbyll ai mesazhin.

Në 15 vjet pjesë e organizatës, Shqipëria ka arritur të jetë në nivelin e kërkuar nga Aleanca më e madhe ushtarake në botë, duke vënë në gatishmëri trupat e saj për misionet e nevojshme dhe të kërkuara.

Mbi të gjitha, vendi ka arritur tashmë që të alokojë nga buxheti i shtetit kuotën e përcaktuar prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për Mbrojtjen.

Në vitet e fundit, pozita strategjike e Shqipërisë është rritur gjithashtu, ku së fundmi është reflektuar edhe me hapjen e një baze ajrore në Kuçovë, e cila operohet nga NATO-ja.

Interesa janë treguar edhe për hapjen e një porti detar për qëllime ushtarake të NATO-s në zonën e Pashalimanit, apo edhe të Porto Palermos, me propozim të Qeverisë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore