Muzikë

Bebe Rexha do të performojë për festat e fundvitit, përfitimet do t’i dhurohen personave të prekur me HIV/AIDS


Bebe Rexha - Artiste

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, është e përzgjedhura e markës prestigjioze amerikane “Bloomingdale’s”, për të performuar në evenimentin e tyre ikonik të festave të fund vitit, i cili do të realizohet të enjten e 18 nëntorit në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa përfitimet do të shkojnë për ndihmë të personave me HIV/AIDS.

Rexha, e cila më parë ishte e nominuar edhe për çmime “Grammy”, pritet që të interpretojë disa prej hiteve më të mëdha të repertuarit të saj, të tilla si; “Im a mess”, “Meant to be”, “In the name of love”, “Me, myself & I” e plot të tjera.

Gjithashtu, eventi i sivjetmë i “Bloomingdale’s”, do të përfshijë zbulimin e dekorimeve të festave të fund vitit, në dritaret e dyqaneve më luksoze në pjesën e Lexington Avenue.

Ndërkaq, pos shfaqjeve shtesë, motoja e sivjetme është – “Give Happy”, mishërim gëzimi dhe optimizmi i fushatës së festave.

Ngjarja do të shënojë fillimin e disa aktiviteteve në “Bloomingdale’s 59th Street” që do të funksionojnë gjatë gjithë sezonit të festave, duke përfshirë: ankand me veshje nga stilistët e famshëm, shtambe ushqimesh dhe pijesh, dhe shumë gjëra të tjera.

Selia e “Bloomingdale’s” në New York.

“Çdo vit, ne presim me padurim ngjarjen tonë të zbulimit të dekorimeve si një dhuratë për klientët tanë dhe qytetin e New Yorkut”.

“Dhe, këtë vit, ne jemi edhe më të ngazëllyer për t’u rikthyer së bashku dhe për të festuar dhe promovuar përvojat tona të veçanta të shitjes në dyqane dhe në internet. Ka shumë befasi që klientët tanë të zbulojnë gjatë gjithë sezonit”, ka thënë tha Frank Berman, zëvendës president ekzekutiv dhe shefi i marketingut i markës “Bloomingdale’s”.

Marka “Bloomingdale’s” i dhuron fitimet e ankandit “Holiday By Design” për Fondacionin Design Industries Fighting AIDS (DIFFA).

Kujtojmë se “DIFFA” mbledh grante për organizatat që ofrojnë trajtim, edukim dhe ndihmë për njerëzit e prekur nga HIV/AIDS, të pastrehët, uria dhe çështjet e shëndetit mendor.

Ndryshe, së fundmi, Bebe Rexha, ishe përzgjedhur edhe si artiste për të kënduar këngën “American Citizen” për serinë e gjigantit Netflix – “We the People”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore