Lajme

BE: Zbatim i plotë i Marrëveshjes Bazë, pavarësisht votimit të Serbisë në KiE  


Flamuj të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se vendimet në Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me Unionin drejtpërdrejtë, pasi, sipas tyre, ajo është organizatë tjetër e pavarur evropiane, derisa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).

Këto komente, BE-ja i ka bërë në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, pasi që është pyetur nëse Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Bazë kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës të mërkurën, pasi që një nga pikat e marrëveshjes në fjalë thotë që Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Pa marrë parasysh këto veprime në Këshillin e Evropës, kur është fjala te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja vazhdon të pret që të gjitha pjesët e Marrëveshjes nga viti 2023, për rrugën drejt normalizimit të zbatohet me shpejtësi, në besim të mirë dhe në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, ashtu siç palët ishin pajtuar me aneksin e implementimit në Ohër”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano, në përgjigjen për REL-in, nuk është përgjigjur direkt nenin 4 të marrëveshjes kur flitet për këtë çështje, por ka përsëritur se, siç thuhet edhe në Aneksin e Ohrit, të gjitha pikat duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra.

“Këshilli i Evropës luan rol qendror në promovimin e vlerave fondamentale Evropiane dhe standardeve të përbashkëta, përfshirë edhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me këtë organizatë, përfshirë edhe anëtarësimin”, shtoi.

Ai në veçanti e ka përmendur detyrimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit në Kosovë, i cili është rruga më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë”, vlerësoi ai.

Ndërkaq, Stano i akuzoi të dyja palët për moszbatimin e Marrëveshjes Bazë.

“Është për keqardhje se, përkundër përpjekjeve nga ana e BE-së dhe bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare, deri me tash progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo Marrëveshje ka qenë shumë i limituar, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”, theksoi Stano.

Ndryshe, Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.

Të mërkurën Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.

Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.

Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.

Kështu Kosova për të dytën herë me radhë kaloi me sukses testin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, meqë më 24 prill të vitit të kaluar, Kosova fillimisht kishte akumuluar votat e nevojshme përmes së cilës Komiteti Ministror i KiE-së në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave kishte proceduar tutje aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare.

Nga gjithsej 46 shtete sa kishin votuar në prill të vitit të kaluar 33 shtete, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kishin votuar pro.

Derisa 12 të tjera kishin votuar kundër apo abstenuar.

Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia kishin votuar kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina kishin abstenuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore