Lajme

“BE t’ua kujtojë Kosovës dhe Serbisë se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit\Ohrit është obligim”


Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

Është momenti i duhur që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian t’ua kujtojnë Kosovës dhe Serbisë obligimet që kanë marrë në Bruksel dhe në Ohër, ka thënë themeluesi i Qendrës për Politikë Bashkëkohore në Serbi, Nemanja Shtiplija.

Në një prononcim për median opozitare serbe “Nova”, Shtiplija theksoi se “është e qartë se nuk ka përparim” në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, vendet evropiane kanë qenë të qarta se nuk duan probleme në pjesë të tjera të Evropës që do të minonin unitetin e kontinentit”, pohoi.

Në këtë kontekst, sipas tij marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “janë çështja kryesore”.

“Por, pas takimit në Bruksel, veçanërisht në Ohër, nuk ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, para së gjithash nga pala kosovare sepse nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, dhe pastaj pala serbe kushtëzon vazhdimin e dialogut me formimin e këtij mekanizmi”.

Pala serbe, pohon ai, “mund të tregojë vullnet të mirë dhe të vazhdojë me zbatimin, por siç e shohim nuk po e bën”.

Pas përfundimeve të pushimeve verore, zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar intensifikim të dialogut Kosovë-Serbi, prandaj edhe Shtiplija nuk ka dyshime se nga shtatori priten “gjëra të mëdha” kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

“Do të ketë një samit të Procesit të Berlinit në Tiranë dhe një samit në Granadë gjatë presidencës së Spanjës në BE. Aty pritet një moment i ri drejt integrimit evropian. Është momenti i duhur që vendet anëtare të BE-së, ndër të tjera, t’i kujtojnë Serbisë dhe Kosovës se zbatimi i marrëveshjes, për çfarë u angazhuan u është bërë obligim”.

Zyrtarët evropianë, pas pushimeve verore, kanë filluar përgatitjet për ri-fillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë kontekst, i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, pas takimit të së hënës në Bled të Sllovenisë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, këtë të mërkure do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social X, Lajçak kishte thënë se në fokus të diskutimeve me Kurtin kanë qenë përgatitja e terrenit për organizimin e një takimit të nivelit të lartë në Bruksel në muajin shtator, si dhe situata në Veri të Kosovës.

Top-diplomati sllovak nënvizoi se kanë biseduar edhe për përmbushjen e mëtejshme të kërkesave që janë paraqitur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor për de-eskalimin e plotë të situatës në Veri të Kosovës.

“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti, sot në Bled. Temat tona kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës të 3 qershorit”, ka shkruar Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore