Lajme

BE për Albanian Post: Borrell s’do ta vizitojë Serbinë, por Varhelyi – ndoshta mediat në Serbi e kanë keqkuptuar


Josep Borrell

Mediat në Serbi njoftuan gjatë ditës se Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, gjatë javës së ardhshme do të jetë në Serbi, por nga BE kanë bërë të ditur për Albanian Post se ky informacion nuk është i vërtetë.

Mediat serbe ia atribuuan deklarimin, Shefit të Delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret, por zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për AP se “Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell nuk do të jetë javën tjetër në Beograd, as në Prishtinë”.

Atëherë çfarë ka ndodhur?

Stano beson të jetë keqkuptuar deklarata e Giaufret nga mediat serbe, meqë ai ka paralajmëruar një vizitë, por të dikujt tjetër nga BE.

“Është një vizitë, por është nga Komisioneri Oliver Varhelyi dhe ai do të jetë në Beograd javën e ardhshme që është njoftuar nga Shefi jonë i Delegacionit në Beograd, por disa media me gjasë e kanë keqkuptuar dhe kanë filluar të raportojnë se bëhet fjalë për Borrell”, ka sqaruar Stano.

Fotografi ne nje nga takimet mes Kurtit e Vucic ne Bruksel, nen lehtesimin e Borrell e Lajcak

Ndryshe, të mërkurën e 23 nëntorit në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave nën ndërmjetësimin e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas gjashtë orësh diskutime e takime, përmes një njoftimi në Twitter, Borrell kumtoi arritjen e pajtimit për de-eskalim.

“Kemi marrëveshje”, shkroi ai

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”.

Sipas marrëveshjes, Kosova është tërhequr nga vendimi i shkallëzuar për targat, ndërsa Serbia pezulloi lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

(Ky lajm është përditësuar me informacione shtesë pas publikimit fillestar në orën 15:30)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore