Lajme

BE ngre alarmin: Rreziku i luftës, le të përgatisim civilët


Evropa duhet të përgatitet për luftë.

Ditët e fundit, kjo thirrje kaq dramatike është bërë nga disa kryeministra dhe nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Por tanimë, në draft dokumentin me të cilin duhet të mbyllet sot Këshilli Evropian, shfaqet edhe një program emergjent në rast sulmi lufte.

Teksti thekson nevojën “imperativë” për të zhvilluar një plan për “përgatitjen e përforcuar dhe të koordinuar ushtarako-civile” dhe “menaxhimin strategjik të krizës në kontekstin e peizazhit të kërcënimit në zhvillim”.

Dhe ky nuk është një keqkuptim, sepse ftesa është futur pikërisht në pjesën “ushtarake” të dokumentit .

Pra, Këshilli Evropian fton Komisionin dhe Përfaqësuesin e Lartë të zbatojnë “veprime për të forcuar gatishmërinë dhe reagimin ndaj krizave në nivel të BE-së në një qasje që merr parasysh të gjitha rreziqet dhe të gjithë shoqërinë, në funksion të një strategjie të ardhshme gatishmërie”.

Duket se lufta në Ukrainë po afrohet dhe BE-ja ndihet në rrezik.

Ose më mirë, ka nisur të mendohet për mundësinë që konflikti të kalojë kufijtë e Bashkimit Evropian.

Është e vërtetë që disa shtete po shprehin dyshime në këtë pikë, duke kujtuar kompetencën kombëtare të Mbrojtjes.

Por vetëm prania e një nxitjeje të tillë e bën të qartë se sa tension po rritet. Dhe deri në çfarë mase kërcënimet ruse kanë efekt.

Një pjesë e madhe e samitit evropian do t’i kushtohet Ukrainës dhe mënyrës se si të forcohet kapaciteti mbrojtës i unionit.

Dhe për herë të parë flitet shprehimisht për një borxh të ri publik, pas Fondit të Rimëkëmbjes, pikërisht për financimin e sektorit ushtarak.

Në draft, kritikat nga Berlini dhe të ashtuquajturit veriorë “të kursyer” si Holanda çuan në heqjen e formulës “zgjidhje inovative”, e cila u konsiderua shumë e përgjithshme dhe për këtë arsye i ekspozohej gjykimit interpretues.

Megjithatë, ka një hap të mëtejshëm që ia lë derën hapur eurobonove.

Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit të studiojë një sërë propozimesh, duke përfshirë emetimin e borxhit të ri të përbashkët, që do të paraqitet në samitin e qershorit.

Pas zgjedhjeve evropiane do t’i rikthehemi temës dhe diskutimi do të zhvillohet edhe në bazë të kundërofensive të frikshme të Kremlinit.

Çështja se si të financohet mbrojtja, megjithatë, mbetet.

Aq sa dje u prezantua propozimi – i cili do të diskutohet sot nga liderët – për të përdorur të ardhurat e aseteve ruse të ngrira në Evropë – mbi tre miliardë – për të forcuar Fondacionin Evropian të Paqes, fondin e përdorur kohët e fundit muaj për të blerë dhe prodhuar armë për Kievin.

Por në këtë pikë, ka dy probleme.

Kërcënimi i Hungarisë për të vënë veton dhe vështirësia e të ashtuquajturave vende “neutrale” (Malta, Austria, Irlanda) për të pranuar këtë zgjidhje.

Budapesti fshihet pas kërkesës për “armëpushim” pa specifikuar kushtet.

Ndaj Rusia do të tërheqë debatin në Këshill, ku do të diskutohen edhe kundërmasat për shmangien e sanksioneve ekonomike kundër Moskës.

Një shifër që është rreth dhjetë miliardë në vit.

BE po shqyrton gjithashtu tarifat për produktet bujqësore ruse.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore