Pajisje

BE: Masa për të parandaluar aksesin ilegal të qeverive jashtë BE-së mbi të dhënat


Ofruesit e shërbimeve cloud dhe ata të shërbimeve të përpunimit të të dhënave do të duhet të miratojnë masa mbrojtëse për të parandaluar që qeveritë jashtë Bashkimit Evropian të kenë akses të paligjshëm në të dhënat e BE-së.

Kështu ka bërë së fundmi me dije Komisioni Evropian përmes draft rregullave të reja.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se drafti parashtron të drejtat dhe detyrimet për përdorimin e të dhënave nga konsumatorët dhe kompanitë në 27 vende të BE-së në pajisjet inteligjente, si dhe mallrat e konsumit.

Ai ka ardhur si pjesë e një sërë rregullash që synojnë të frenojnë fuqinë e gjigantëve amerikan të teknologjisë dhe të ndihmojnë BE-në të arrijë objektivat e veta digjitale.

“Duam t’u japim konsumatorëve dhe kompanive edhe më shumë kontroll mbi atë që mund të bëhet me të dhënat e tyre, duke sqaruar se kush mund të aksesojë të dhënat dhe me çfarë kushtesh”, ka thënë shefja e komisionit, Margrethe Vestager.

Në BE, shqetësimet mbi transferimin e të dhënave janë rritur që kur ish-kontraktori amerikan i inteligjencës, Edward Snowden, zbuloi në vitin 2013 mbikëqyrjen masive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çështja bëri që gjykata e lartë e Evropës të shpallte të jashtëligjshëm një pakt transatlantik të transferimit të të dhënave të njohur si Mburoja e Privatësisë.

Prej kësaj të fundit vareshin mijëra kompani shërbimesh që varionin nga infrastruktura cloud deri te listat e pagave dhe financat.

Që atëherë, SHBA-të dhe BE-ja kanë luftuar për të gjetur një marrëveshje të re të të dhënave.

Lidhur me rregullat e reja, ekzekutivja e BE-së ka thënë se ato do të çlirojnë një vëllim të madh të të dhënave për përdorim dhe pritet të shtojnë 270 miliardë euro të prodhimit të brendshëm bruto shtesë deri në vitin 2028.

Gjithashtu imponojnë kërkesa kontraktuale dhe standarde të ndërveprimit për shërbimet cloud për ta bërë më të lehtë për kompanitë kalimin në një rival dhe të dhënat që do të përdoren midis sektorëve.

Sipas “Reuters”, përdoruesit e pajisjeve të lidhura do të jenë në gjendje të aksesojnë të dhënat e gjeneruara prej tyre dhe t’i ndajnë ato me kompani të tjera që ofrojnë shërbime të tjera inovative të të dhënave.

Sakaq, kompanitë do të jenë të detyruara të ofrojnë të dhëna të caktuara për qeveritë gjatë emergjencave publike.

Ndryshe i quajtur Akti i të Dhënave, drafti do të duhet të shpërndahet te qeveritë dhe ligjvënësit e BE-së përpara se të bëhet ligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore