Kosova

BE-ja t’i lë anash politikat e saj të buta në raport me dialogun Kosovë – Serbi, thotë Abazoviç  


Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ketë një qasje më konkrete kur në pyetje është dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për mediumin me seli në Bruksel, Euractiv, Abazoviç, ka vlerësuar se blloku evropian duhet ta braktisë politikat e saja “shumë të buta” në raport me dialogun Kosovë – Serbi.

“Nëse do të kemi gjithmonë këtë lloj politike shumë të butë, do të flasim ende për të njëjtën gjë pas 10 apo 20 vjetësh. Kjo është një fatkeqësi sepse kemi humbur tashmë 20 vjet”, ka deklaruar ai.

Abazoviç ndër të tjera ka potencuar beson se si Kosova ashtu edhe Serbia “duan të shohin një marrëveshje përfundimtare”

“Duke treguar se ne nuk jemi më një rajon konflikti, por një rajon i mirëkuptimit, por kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka vlerësuar ai.

I pyetur për votën kundër të Malit të Zi në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovës, Abazoviç ka konsideruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhte nëse ai do të ishte në krye të vendit.

“Vota kundër Kosovës në KiE do të ishte e pamundur nën mandatin tim, ne ishim shumë të qartë në politikën tonë të jashtme. Politika jonë e jashtme ishte 100% në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore