Lajme

BE-ja pret që lidershipi i ri në Mal të Zi të fokusohet në reforma dhe të ndjekë rrugën evropiane


Ana Pisonero

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, konfirmoi se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për t’i ndihmuar të qëndrojë në rrugën evropiane dhe të arrijnë një konsensus mbi prioritetet që janë kyçe për procesin e anëtarësimit.

“Fokusimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës të përshkruara në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin janë të një rëndësie kyçe. Natyrisht, për këtë qëllim, ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, tha ajo.

“Për ne, stabiliteti politik është çelësi për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së, një proces nga i cili përfiton Mali i Zi dhe Evropa në tërësi”, shtoi Pisonero në një konferencë për media të martën në Bruksel, transmeton e përditshmja malazeze “Pobjeda”.

Ajo ndër të tjera shtoi se pret që së shpejti të organizohen takimet e para të nivelit të lartë mes BE-së dhe presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili pritet që vizitën e tij të parë jashtë vendit ta realizojë pikërisht në Bruksel.

Milatoviç do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 1 qershor në Kishinev të Moldavisë. Nuk përjashtohet mundësia që ai të vizitojë Brukselin përpara Kishinevit për të konfirmuar angazhimin e tij ndaj integrimit evropian.

Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mali i Zi është i vetmi nga pesë vendet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur disa kapituj në negociatat e anëtarësimit me BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore