Lajme

BE-ja pret mbështetje nga Serbia për sanksionet ndaj Rusisë


Ilustrim.

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se nga vendet kandidate siç është Serbia, “presin që t’u bashkohen qëndrimeve të Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, deklaroi se në rastin e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, nga të gjitha vendet partnere mike të bllokut evropian, presin që të mbështesin sanksionet.

“Mendoj se kjo vlen për të gjithë miqtë, fqinjët dhe vendet partnere. Ne besojmë se jemi në moment historik dhe është koha që të merren hapa. Kërkojmë nga të gjithë që të aplikohen sanksione në mënyrë të koordinuar”, ka thënë ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth qëndrimeve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mw 23 shkurt, edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se unioni evropian pret që Serbia të bashkërendohet me politikën evropiane në sanksionet ndaj Rusisë.

Duke qenë se Serbia është vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian, Peter Stano tha se Serbia duhet rrjedhimisht t’u bashkohet sanksioneve.

Bashkimi Evropian.

Më 28 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se do ta mbajnë pozicionin në “çështjen e Ukrainës” për aq sa munden.

Vuçiç përsëri nuk e quajti, as agresion, as pushtim, dhe as nuk e dënoi agresionin rus në Ukrainë, por se “respekton integritetin territorial të Ukrainës”.

Kujtojmë se Vuçiç nuk i është bashkangjitur botës perëndimore në dënimin dhe sanksionim e Rusisë.

Bashkimi Evropian ka vendosur një sërë runde të sanksioneve ndaj Rusisë dhe bizneseve ruse, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës.

Të sanksionuar nga blloku janë edhe presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov, të cilëve u janë ngrirë asetet që kanë në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore