Kosova

BE-ja e shqetësuar për rezervat e paraqitura nga Brnabiç për obligimet Serbisë ndaj Marrëveshja Bazë


Ilustrim

Serbia, gjegjësit kryeministrja, Ana Brnabiç, ka shprehur rezerva për deklaratën e miratuar në Samitin e së mërkurës në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet e saja për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, e një gjë e tillë ka shkaktuar një dozë të madhe të shqetësimit në Union, meqë letra e kryeministres serbe paraqet “një situatë shumë më serioze në procesin e dialogut”.

“Ndoshta për Serbinë kjo mund të duket si diçka e dobishme për shkak të zgjedhjeve më 17 dhjetor. Por, Serbia duhet ta dijë se vjen edhe 18 dhjetori dhe ditët në vijim, e obligimet mbeten. Kjo nuk do të kalojë aq lehtë te vendet anëtare të BE-së”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i lartë evropian.

Letra e Brnabiç, në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, paraqet herën e parë që ky shtet me shkrim deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Edhe pse autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiç, kanë deklaruar publikisht se nuk do t’i zbatojnë ato pjesë të marrëveshjes, të cilat i konsiderojnë si “shkelje të interesave kombëtare të Serbisë”, zyrtarët nga Brukseli të përfshirë në dialog, i kanë injoruar ato duke konsideruar si “deklarata për konsum të brendshëm”.

Megjithatë eksperti Toby Vogel nga Këshilli për Politikë dhe Demokraci (DPC), thotë se Serbia me këtë letër de facto e ka sjellë dialogun para dështimit.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë dëshpëruese duan të besojnë se Marrëveshja nga Ohri është e vërtetë, se Serbia dhe Kosova janë obliguar për t’i normalizuar raportet, edhe pse ekzistojnë shumë fakte për të dëshmuar se nuk është ashtu”, ka thënë Vogel për REL.

Serbia, gjegjësit kryeministrja, Ana Brnabiç, ka shprehur rezerva për deklaratën e miratuar në Samitin e së mërkurës në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet e saja për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Ndonëse pas Samitit BE – Ballkani Perëndimor është thënë se të gjitha vendet e rajonit janë pajtuar për deklaratën e miratuar në samit, mediat serbe, raportojnë se Brnabiç ka vënë rezerva, për siç thonë ata në mbrojtje të interesave të Serbisë si mosnjohja dhe mospranimi i Kosovës si anëtare e Kombeve të Bashkuara, si dhe anëtare e sistemit të organizatave dhe agjencive të OKB-së.

Në rezervat e shprehura nga ana e Brnabiç, siç raportohet, Serbia ka bërë të qartë se Kosova mbetet pjesë integrale e Republikës së Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Më tej theksohet se rezervat e shprehura të Brnabiç kanë të bëjnë edhe me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në dokumentin ku Serbia ka shprehur qëndrimin e saj.

Raportohet se Brnabiç ka shprehur rezerva në Bruksel për obligimet e Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore