Kosova

BE: Ende nuk ka marrëveshje finale për reciprocitetin e targave, bisedimet vazhdojnë


Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka thënë se bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë në arritjen e marrëveshjes për situatën në Veri të Kosovës janë ende duke vazhduar.

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se takimi midis kryenegociatorëve të dy palëve (Kosovës dhe Serbisë), në Bruksel, nuk ka përfunduar ende.

Ai përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se ende vazhdojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje lidhur me situatën në Veri të Kosovës.

“Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se janë afër një marrëveshjeje me Serbinë lidhur me reciprocitetin ndaj targave.

Ai para mediave, pas takimit që zhvilloi në Bruksel në kuadër të dialogut, ka thënë se është arritur një draft final e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, para mediave në Bruksel

“Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final”, është shprehur Bislimi.

Sipas tij, marrëveshja parasheh tri elemente.

“E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak”, shtoi ai.

Po ashtu, Bislimi ka theksuar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me targat “KM”.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore