Sport

Bayern-i kërkon informacion për mbrojtësin e Chelsea-t


Bayern Munich-u është i interesuar për të kthyer në vendlindje, mbrojtësin gjerman të Chelsea-t, Antonio Rudiger-in. ish-lojtari i Roma-s dhe Stuttgart-it ka vetëm një vit kontratë në Londër.

Sipas gjermanes “Bild”, kampionët e Gjermanisë kanë kërkuar informacione te vëllai agjent i lojtarit, Sahr Senesie. Klubi ka pyetur rreth kushteve të transferimit dhe ato të lojtarit.

Me të ardhmen e pasigurtë të Niklas Sule-s, bavarezët do të hyjnë në tregun e transferimeve për të gjetur një lojtar të denjtë për prapavijën e tyre.

Nëse Sule nuk rinovon kontratën që i përfundon verën e ardhshme, atëherë menjëherë Bayern-i do të hidhet në sulm për Rudiger-in.

Gjithsesi afrimi i Rudiger-it në “Allianz Arena” nuk do të jetë i lehtë. Për qendërmbrojtësin interesohen edhe Real Madrid-i, PSG-ja, Juventus-i dhe Atletico Madrid-i.

Po sipas “Bild”, gjermani është në pritje të një kontrate të re me kampionët e Evropës, por nëse ajo nuk vjen, ose nuk do të ketë kushtet e përshtatshme për të, largimi do të jetë pranë.

Bayern-i po studion edhe alternativën tjetër post-Rudiger. Bëhet fjalë për Matthias Ginter-in. Mbrojtësin 27-vjeçar të Borussia Monchengladbach-ut dhe Kombëtares së Gjermanisë.

Edhe ai do të jetë me kosto zero në verën e ardhshme, ndonëse klubi nuk është shumë i bindur për cilësitë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore