Sport

Bayer Leverkusen-i prin garën për transferimin e ‘dështakut’ të Inter-it


Sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa, po kalon formë të mirë në vendlindje me skuadrën e Flamengo-s.

25-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Evropa, mes të cilëve Bayer Leverkusen-i, Everton-i, Arsenal-i, Newcastle, West Ham-i dhe Aston Villa.

Gabigoli ka provuar të luajë më herët në Evropë me Inter-in dhe Benfica-n. Por, të dy tentativat kanë rezultuar të dështuara.

Me zikaltrit ka bërë 10 paraqitje, duke shënuar një gol. Ndërsa me luzitanët numëron pesë paraqitje dhe një gol.

Në verën e 2016-s, Inter-i pagoi rreth 30 milionë euro për kartonin e tij. Ndërsa e shiti në janarin e 2020-s te Flamengo për rreth 18 milionë euro.

Pas eksperiencës së dytë në Brazil, tashmë ai është më i pjekur si lojtar.

Ai ka fituar trofe të rëndësishëm vitet e fundit me skuadrën braziliane, si: Copa Libertadores dhe Recopa Sudamericana, si dhe dy kampionate dhe dy Superkupa të Brazilit.

Sipas “90min.de”, Leverkusen-in është futur seriozisht në garë për shërbimet e tij, duke rivalizuar klubet angleze.

Ai ka bërë 121 paraqitje për Flamengo-n, duke shënuar 83 gola dhe 26 asistime. Kontrata e tij skadon në vitin 2024.

Sipas “Transfermarkt”, kartoni i brazilianit vlen 26 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore