Lajme

Bauer paralajmëron rritjen e numrit të ushtarëve në KFOR


Rob Bauer

Rob Bauer, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, tha se Kosova dhe Bosnje-Hercegovinë janë shembuj të bashkëpunimit dhe përshkushtimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, por se edhe liderët rajonalë duhet të japin kontrubutin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Ne nuk jemi të vetmit që duhet të bëjmë diçka në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë liderët politikë duhet të jenë përgjegjës për vendet e tyre. Nuk mjafton të ulesh dhe të presësh që BE-ja dhe NATO-ja të bëjnë diçka për Ballkanin Perëndimor. Vetë liderët e këtyre vendeve luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë”, u shpreh admirali amerikan.

Ai theksoi se gjithnjë e më shumë po diskutohet nëse numri i forcave ushtarake në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) është i mjafshtueshëm, posaçërisht pas ngjarjeve të vitit të kaluar që dëshmuan se paqja në Ballkanin Perëndimor është ende e brishtë, ndërsa paralajmëroi se numri i personelit ushtarak në KFOR mund të rritet varësisht rrethanave.

“Tani po diskutohet nëse numri i forcave në KFOR është i mjaftueshëm dhe nëse është e nevojshme, atëherë do të diskutojmë dhe nëse duhet t’i shtojmë, pas vendimit do ta bëjmë. Pra, është e gjitha pjesë e asaj që bëjmë në baza ditore. Ne vlerësojmë çdo mision, çdo vit bëhet një vlerësim se si po ecën misioni dhe nëse është e nevojshme, ne e ndryshojmë”, nënvizoi Bauer.

NATO ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, ndërsa Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) është vendosur në Kosovë. Turqia ka dislokuar një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Zvicra gjithashtu do ta rrisë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të këtij viti. Gjithashtu, rreth 50 ushtarë amerikanë nga  regjimenti i 244-të i aviacionit do të dislokohet në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it, ndërsa Moldavia ka dislokuar në vend rreth 40 ushtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore