Sport

Basketboll/ Art Motion Superliga, java e 11 vjen me dy derbi


Në mesjavë do të zhvillohet java e 11 në Art Motion Superligën e Kosovës në basketboll.

Derbi pritet të jetë ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit në kryeqytet.

Pas nisjes jo shumë të mirë, të dy skuadrat janë në formë dhe do të kërkojnë fitoren e radhës. Bardhekaltrit kanë gjashtë fitore dhe katër humbje, ndërsa kampionët e Kosovës kanë shtatë fitore dhe katër humbje, andaj pritet një sfidë shumë interesante.

Bashkimi do të përballet me Rahovecin, që nuk është në formë, por kërkon këndelljen. Prizrenasit kanë pesë fitore dhe pesë humbje, kurse “Vreshtarët” dy fitore dhe tetë humbje.

Drita që nuk ka shënuar asnjë fitore në elitë me dhjetë humbje, përballet me Prizreni 16, që ka gjashtë fitore dhe tri humbje.

Java e 11 përmbyllet me derbin e rivalëve të vjetër mes Pejës dhe Trepçës.

Pejanët kanë gjashtë fitore dhe katër humbje, kurse mitrovicasit kanë tetë fitore dhe dy humbje, duke qenë lidere e Superligës. Sfidat mes këtyre skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante dhe kështu pritet edhe të enjten mbrëma.

Art Motion Superliga – Java 11

E mërkurë

17:00 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli

19:00 Bashkimi – Rahoveci

E enjte

17:00 Drita – Prizreni 16

19:00 Peja – Trepça

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore