Lajme

Bashkim Jashari pjesë e konferencë së ushtrisë Amerikane


Bashkim Jashari me gjenerale amerikane ne Gjermani

Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, udhëheqësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, po merr pjesë në Konferencën e Ushtrisë Amerikane dhe ushtrive aleate evropiane, njofton Ministria e Mbrojtjes në Kosovë.

Ai ka udhëtuar me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, Gjeneral James McConville.

Konferenca e Ushtrive Evropiane (Conference of European Armies) e këtij viti po mbahet në Garmisch të Gjermanisë.

Kjo konferencë është ndër ngjarjet kryesore të Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë e nivelit të lartë të gjeneralëve, me qëllim të thellimit të bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Bekim Jashari me gjeneralin amerikan

Oficerë të lartë ushtarakë, komandantë të forcave tokësore, oficerë dhe përfaqësues tjerë të forcave të vendeve aleate evropiane dhe shteteve partnere bashkë me SHBA-në, në sesionet e konferencës, po diskutojnë për sfidat e sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

“Gjatë kësaj konference, Gjeneral Jashari takoi edhe Komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, Gjeneral Darryl Williams, ku përveç diskutimeve tejet përmbajtjesore, e falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen jetike dhe të pazëvendësueshme që ofron Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë për FSK-në në të gjitha aspektet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Konferenca është iniciativë që promovon bashkëpunimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve në mes të Ushtrisë Amerikane dhe ushtrive të vendeve aleate dhe partnere të saj në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore