Shqipëria

Bashën apo Berishën, me kë do të bashkëpunojë Rama?


“Nëse do të shohim se ka shanse për bashkëpunim, ne jemi aty për të bashkëpunuar”.

Ka qenë kjo përgjigjja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për mediat më 11 janar, pasi u pyet sesa të mundshme janë shanset për një bashkëpunim midis Partisë Demokratike (PD) dhe asaj Socialiste.

“Të dy këta, veç e veç, nuk ka asnjë legjitimitet”, tha ai më tej nga selia rozë, ndërsa nënkupton kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha, dhe ish-kreun e saj, Sali Berisha.

“Deputetët e PD-së janë legjitimë, sepse janë zgjedhur me votën e popullit”, u shpreh Rama, duke i cilësuar sërish, dy protagonistët e demokratëve si “kufoma që kanë marrë peng partinë”.

 

Sipas tij, “PD-ja është në funksion të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura të dy kufomave të saj”, ndryshe nga Partia Socialiste (PS).

“Nuk ka pasur socialist që ka dashur të marrë me dhunë selinë e saj”, tha kreu i socialistëve, “kjo sepse ne jemi në shërbim të njerëzve dhe jo të kacafytjes për interesa personale”.

Kurse, për fortifikimin e selisë së PD-së nga lidership-i zyrtar i PD-së, Rama tha se “duhej të fliste për nevojën që ai institucion kishte për t’u mbrojtur nga Policia e Shtetit”.

Çfarë u diskutua me Kryesinë e PS-së?

Gjithashtu, kryeministri ka zbardhur dhe pikat kyçe të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste (PS).

Ai tha se fokusi i bisedimeve ishte te ripërtëritja e partisë dhe te mbledhja e Kongresit të PS-së.

Baner i Kongresit të Partisë Socialiste

“Ngjarja e Kongresit do të adresojë sfidat e përbashkëta të qeverisë për 4 vitet e ardhshme”, tha Rama.

Ndërsa për rrjetin rinor të PS-së, shpjegoi se do t’u jepet mbështetje “për t’u kthyer në aktivistë” dhe “njerëz të interesuar përtej punëve të veta”.

Saga “Basha-Berisha”

Një sagë “Basha-Berisha” do të niste brenda PD-së, që prej majit 2021 – ditë kur Sali Berisha u shpall si persona non grata nga SHBA-të.

Fillimisht, replikat ndaheshin në distancë, mes Berishës, Bashës dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Më pas, me vendimin e Bashës më 9 shtator, një ditë përpara fillimit të punimeve të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, Berisha nisi replika të fuqishme me kreun e demokratëve dhe vendosi të ndërmerrte një seri foltoresh në gjithë Shqipërinë.

Nën pretendimin se ai kishte mbledhur mbi 4 mijë e 400 firma nga delegatët, ish-kryeministri thirri një Kuvend Kombëtar të PD-së, më 11 dhjetor 2021.

Aty, ndër të tjera, u vendos edhe shkarkimi i Bashës nga detyra. Gjë që Berisha pretendoi se e legjitimoi me anë të një referendumi në anëtarësi, më 18 dhjetor.

Po në këtë datë, Basha thirri Kuvendin Kombëtar të PD-së – sipas statutit – ku u vendos përjashtimi nga strukturat i atyre të përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit.

Me secilin nga politikanët të vetëlegjitimuar, Berisha iu kthye rrugës, duke thirrur protestën e 8 janarit.

Mirëpo, qëllimin për ta rrëzuar Bashën e për ta nxjerrë nga selia, nuk e arriti.

Tashmë, është Basha, ai që e nxjerr Berishën përgjithmonë jashtë PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore